Bajraktari: Në dekadën që vjen, Vatra mund të ketë përfaqësusit e vet në Kongresin Amerikan
Intervistë me Harry Bajraktarin, veprimtar i njohur i komunitetit Shqiptaro-Amerikan, biznesmen dhe themelues i gazetës “Illyria”, me rastin e 100 vjetorit të "Vatrës"
Në fund të muajt prill shënohet 100 vjetori i themelimit të Organizatës Pan-Shqiptare "Vatra". Çka do të thotë për ju ky përvjetor dhe jeta e gjatë e kësaj organizate patriotike në SHBA?
Harry Bajraktari: Së pari dua të theksoj se "Vatra" është një mrekulli e rrallë që mund t’u konkurrojë simotrave të komuniteteve shumë më të mëdha që veprojnë në SHBA. Unë nuk di që ndonjë organizatë tjetër jashtë atdheut dhe brenda atdheut të ketë jetuar kaq gjatë dhe të ketë qenë kaq e fuqishme gjatë tërë një shekulli historik. Nuk ka qenë lehtë që të mbijetohej gjithë kjo periudhë, kur dihet se bota shqiptare ka pasur shumë përplasje dhe sfida ndër më të ndryshmet, duke përfshirë edhe atë të mohimit të ekzistencës së shqiptarëve. Është fat i madh që kjo u themelua në SHBA, dhe vetëm në këtë hapësirë demokratike ka mundur të bëjë jetë kaq të gjatë e kaq të vlefshme. Nuk besoj që në ndonjë vend tjetër do të mbetej gjallë. Siç e dini Amerika është një vend me demokraci më të madhe në tërë globin dhe, gjithashtu, është një vend që afron mundësi të jashtëzakonshme për mëkëmbje ekonomike. Shqiptarët e parë që erdhën këtu patën mundësi të bëjnë një kapital të vogël dhe, natyrisht, me këto para që siguruan, ishin në gjendje të organizoheshin brenda vetvetes dhe të ndihmonin familjet dhe të afërmit e tyre në atdhe. Në të kundërtën, pa mundësi pune dhe kapitali, as që do të mund të bëhej fjalë për këtë asociacion, themeluar para 100 vjetësh dhe për kontributin e vazhdueshëm për çështjen e atdheut. Mu për këtë sot duhet të krenohemi me "Vatrën" dhe ta mbështesim sinqerisht që kjo organizatë të bëhet edhe më e fuqishme.
Çka të bën përshtypje më së shumti, përkatësisht a është thënë gjithçka për "Vatrën"?
Po, është thënë shumë për të, por nuk di a është thënë gjithçka për rrugën e saj kaq të gjatë. Mendoj se këtë nuk mund ta thotë një njeri, as një grup i vogël i tyre. Atë që mund ta them unë për një vepër kaq të madhe, kurrë nuk mjafton një vlerësim. E di se aktiviteti i saj është përcjellë nga organi botues "Dielli" dhe shumëçka gjendet aty. Është shkruar, gjithashtu, shumë dhe për të kanë folur intelektualë dhe veprimtarë, brenda dhe jashtë saj. Me siguri, në këtë përvjetor, do të rezymohet kontributi dhe aktivitetit i saj 100 vjeçar.
Çfarë, sipas mendimit tuaj, ka të përbashkët periudha e vitit 1900 me atë të vitit 1990. A janë të ngjashme këto dy kohë apo identike? Ju jeni dëshmitar i kësaj të fundit.
Këto dy periudha historike kanë ngjashmëri, nëse nuk janë krejt identike. Viti 1900, ose të themi kjo periudhë, ka rëndësi të madhe se në këtë kohë filloi të intensifikohet aktiviteti i Lëvizjes Kombëtare, pas Lidhjes së Prizrenit dhe asaj të Pejës, për çlirimin e trojeve shqiptare nga sundimi turk. Kjo është periudha kur shqiptarët filluan të koordinonin aktivitetet e tyre për lirinë e Shqipërisë. Në përpjekjet për liri kombëtare, në fillim të dekadës së shekullit të kaluar, u formua në Boston Organizata "Vatra". Pra, këto aktivitete u paraprinë kryengritjeve të mëdha që u zhvilluan kundër ushtrisë së xhonturqve në vitin 1911-1912, kur Shqipëria shpalli pavarësinë, por Konferenca e Londrës, fatkeqësisht la Kosovën dhe viset tjera shqiptare nën pushtimin serb, malazez dhe grek.
Ndërkaq, në vitin 1990 në Kosovë u krijua një Lëvizje gjithë shqiptare për të kundërshtuar regjimin e Millosheviqit. Në këtë kohë shqiptarët e Amerikës, të vetëdijshëm se pa një mbështetje të fortë nga Uashingtoni, Kosova do ta kishte të vështirë dhe ndoshta të pamundshëm çlirimin nga pushtimi i egër serb. Kështu, filluam rrugën për Washington për të zënë miq në Kongres, Senat dhe State Departament. Kishim shumë vullnet dhe shumë energji. Këtu mund të përmend disa nga miqtë tanë që na ndihmuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës: Bobe Dole, Eliot Engel, William Broomfild, Madeleine Olbright, Bill Clinton, Hillary Clinton, tash sekretare e shtetit, George Bush e tjerë. Kështu kishin vepruar edhe krerët e vatranëve duke udhëtuar drejt Washingtonit, kur Shqipëria rrezikohej nga armiqtë e saj. Siç dihet, në Konferencën e Versajit pat udhëtuar edhe një delegacion i Vatrës, ku shqipëria i shpëtoi copëtimit, në sajë të ndërhyrjes së presidentit të atëhershëm amerikan, Woodrow Wilson. Në Francë brenda 100 vjetësh u mbajt edhe një konferencë tjetër për shqiptarët, Rambujeja, ku u vendos fati i Kosovës. Prapë, ishin amerikanët që na shpëtuan. Me një delegacion të Këshillit Shqiptaro-Amerikan, i cili përbëhej edhe nga disa anëtarë të "Vatrës" dhe organizatave të tjera, shkuam në Rambuje për të mbështetur çështjen e Kosovës. Me ne ishte edhe miku ynë i pandarë, kongresisti Eliot Engel. Si atëherë, para 100 vjetësh, ashtu edhe sot shqiptarët e Amerikës ndihmojnë çështjen kombëtare. Kontributi i tyre është i madhe dhe gjithherë përkushtues...
Ju jeni themelues i gazetës "Illyria" në vitin 1991. A mendoni se ka një paralelizëm mes kësaj dhe gazetës "Dielli" që është organ i "Vatrës"?
Mendoj se këto dy gazeta kanë ngjashmëri, ndonëse janë themeluar në kohë, kushte dhe rrethana të ndryshme. Këtu ka një koincidencë, e para u themelua vetëm tri vjet para shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ndërkaq e dyta tetë vjet para se Kosova ta fitonte lirinë. Siç dihet gazeta "Dielli" ushtroi influencë të madhe në afirmimin e çështjes kombëtare për pavarësi dhe, njëherësh, nuk la anash nevojën e konsolidimit të shtetit demokratik shqiptar. Në këtë mënyrë ishte edhe me gazetën Illyria e cila u parapriu ngjarjeve të bujshme deri në fitimin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Roli i të dyjave ka qenë i pazëvendësueshëm për krijimin e opinionit tek administrata amerikane dhe qytetarët amerikanë. Këto dy gazeta shërbyen si një urë e fortë e lidhjeve në mes shqiptarëve të Amerikës dhe shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë dhe në viset tjera shqiptare. Gjithashtu, kontribuan edhe në forcimin e marrëdhënieve të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit, me Uashingtonin.
Si e shihni "Vatrën" dhe, në këtë kontekst, komunitetin tonë në të ardhshmen?
Së pari dëshiroj t’ i uroj sukses udhëheqjes së sotëm dhe t’u shpreh mirënjohje të gjithë atyre që për 100 vjet udhëhoqën dhe kontribuan që "Vatra" të jetë organizata më e madhe e komunitetit tonë. Roli i Vatrës në të kaluarën ka qenë dhe mbetet unifikues për komunitetin e shqiptarëve të Amerikës. Këtë rrugë integruese duhet ta ndjekë sot dhe në të ardhshmen, duke e pasuruar me forma të reja veprimi, duke mbledhur rreth saj më shumë anëtarë të rinj, intelektualë, biznesmenë dhe të tjerë që kanë vullnet dhe dëshirë për të kontribuar për komunitetin tonë dhe për çështjen shqiptare në Shqipëri, në Kosovë dhe në trojet tjera etnike. Për të bërë një gjë të tillë, komuniteti ynë ka mundësi shumë më të mëdha sesa në të shkuarën. Është shtuar numri i shqiptarëve në Amerikë, i atyre që kanë kryer e po kryejnë shkolla e specializime në fusha të ndryshme. Pra, sot kemi një potencial të madh të cilin komuniteti ynë duhet të dijë ta shfrytëzojë, në këtë kontekst edhe organizata më e vjetër "Vatra". Shqiptarët e Amerikës kanë filluar të bëhen pjesë e Qeverisë Amerikane dhe qeverive lokale. Brenda 10 viteve mendoj se do të kemi njeriun tonë në Dhomën e Përfaqësuesve në Washington, e pas 15 viteve edhe në Senatin amerikan. Nuk përjashtohet mundësia që për një periudhë më të gjatë të kemi kandidat edhe për president të SHBA.
Sivjet kremtohet edhe 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë. Në çfarë pozite qëndrojnë shqiptarët sot në këtë përvjetor të madh në Shqipëri, në Kosovë dhe në trojet tjera etnike. A mund të jipni një mendim të shkurtër lidhur me rrugëtimin 100 vjetësh të shqiptarëve?
Në historinë e re, shqiptarët asnjëherë nuk kanë qenë më të fortë se sa sot. Tash kemi dy shtete shqiptare:Shqipërinë dhe Kosovën, kurse statusi i shqiptarëve në Maqedoni që nga Konferenca e Ohrit ka avancuar në shtetformues. Kemi Shqipërinë në NATO, kurse Kosova në rrugë për t’ u bërë anëtare e kësaj organizate më të fuqishme ushtarake në botë. Shqiptarët po integrohen në Evropë, ndërsa në Ballkan po bëhen faktor.
Intervistoi: Muhamet Mjeku