E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kapiten Feti Vogli ra për paqen dhe lirinë e afganëve”

16-04-2012 / Nga Sali Berisha*

I gjithë kombi, krenar për veprën heroike të komandove tanë


Është kënaqësinë e veçantë për mua, t’ju takoj sot, këtu, në Kabul, t’ju përshëndes shumë përzemërsisht, t’ju sjell nderimin e vlerësimin e madh të qeverisë, mbarë vendit e mbarë qytetarëve shqiptarë, të familjeve tuaja dhe të të gjithë shqiptarëve për misionin e rëndësishëm dhe fisnik që ju kryeni këtu, në kuadrin e angazhimeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Gjithashtu, ju shpreh mirënjohjen time, sepse në një hark kohor të shkurtër, ju keni krijuar një reputacion, një emër shumë të mirë në Komandën e ISAF dhe kudo që jeni.  Në samitin e Lisbonës shkurtimisht bisedova me Gjeneralin Petraeus, i cili në atë kohë ishte Komandant këtu dhe ai u shpreh me vlerësimet më të larta për ushtarakët shqiptarë me detyrë në Afganistan. Po kështu, Komandanti John Allen, në bisedën telefonike që pata me rastin e rënies në krye të detyrës së Kapiten Feti Voglit, shprehu vlerësimet më të mira për ju.  Ne jemi anëtarët më të rinj të NATO-s këtu, bashkë me trupat kroate, por në proporcion me kombin dhe të ardhurat, ne kemi një nga prezencat më të larta. Ne do të qëndrojmë këtu, deri sa të qëndrojnë Shtetet e Bashkuara. Është në meritën e Forcave tona të Armatosura, në meritën tuaj që ju ndodheni këtu, në të gjitha formacionet, në komanda, në OMTL, në ekipe shëndetësore, por edhe në rol ushtarak e në të gjitha rolet e tjera. Ne do ta vazhdojmë këtë mision dhe llogarisim që, në rast se do të ketë zvogëlime, do të ketë role më të rëndësishme, pra, do të ketë një riorientim të forcave tona, gjersa ISAF, NATO dhe SHBA-të të vendosin për t’u larguar nga Afganistani. Para 60 ditësh, ne humbën një njeri të mrekullueshëm, një oficer të shkëlqyer. Natyrisht, këtu është betejë, por mënyra sesi është sjellë njësia jonë në Spin Buldok, në Kandahar, është jashtëzakonisht dinjitoze dhe këto qëndrime kanë pasur vlerësimin më të lartë. Unë do të takoj njësinë tonë në Kandahar, do të fluturoj edhe mbi vendin ku ra Kapiten Feti Vogli. Familja e tij do të donte shumë të ishte me mua, por kjo do të ishte e pamundur. Kështu që në këtë rast, unë po përfaqësoj aty jo vetëm qeverinë shqiptare, por edhe prindërit, bashkëshorten, familjen Vogli. Në Shqipëri, në tërësi, zhvillimet janë pozitive. Dy janë momentet më të rëndësishme. I pari, 100 vjetori i pavarësisë. Të dashur oficerë, nënoficerë e ushtarë, në rast se kthehemi në vitin ’12 të shekullit që shkoi, ato kanë qenë vitet më të vështira për ne. Vite, në të cilat ishin projektuar skenarë nga më të pandershmit e të padrejtët. Por sot, ne jemi anëtar të NATO-s, përfaqësohemi me NATO-n në Afganistan. Nuk ka mënyrë më dinjitoze e shpresëdhënëse të kremtojmë 100 vjetorin e pavarësisë së vendit, jemi të lirë kudo. Këtu takova ushtarë apo oficerë shqiptarë në njësitë e Maqedonisë dhe jam i bindur se ky 100 vjetor do të shërbejë si një piedestal për të synuar horizonte të reja, të cilat ne i meritojmë. Projekti i dytë më madhor për këtë shekull, pas NATO-s, është anëtarësimi në Bashkimin Europian dhe ne po punojmë intensivisht për të marrë statusin. Anëtarësia në BE kalon në një tërësi standardesh, normash e praktikash që kanë një qëllim të vetëm, t’i bëjë më të lirë, më të mëkëmbur e më të sigurt qytetarët shqiptarë. Ndaj ne po i ndjekim ato me vendosmëri të madhe. Po punohet në parlament. Problemet që kanë ekzistuar kanë marrë tani një zgjidhje dhe punohet normalisht, si në çdo parlament të një vendi pluralist. Ne jemi optimistë të përmbushim detyrimet që janë interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë. Ato nuk janë detyrime apo tagra që rëndojnë, përkundrazi veçse konsolidojnë të ardhmen dhe europianizimin e mëtejshëm të vendit. Në tërësi, situata është optimiste dhe vazhdojnë projektet në të gjitha fushat. Shqipëria më shumë se çdo vend tjetër ka pasur nevojë për ndryshime, por Shqipëria ka ndryshuar më shuam se çdo vend tjetër dhe janë treguesit që flasin vetë. Edhe një herë shpreh nderimin tim më të madh për ju, vlerësimin më të madh për punën e shkëlqyer që bëni këtu dhe uroj që ta përmbushni me faqe të bardhë këtë mision e të ktheheni shëndoshë e mirë në Shqipëri. Forcat tona të Armatosura vazhdojnë reformat në të gjitha aspektet. E vërteta është se ne do të bëjmë gjithçka për një ushtri jo të madhe, por moderne, të pajisur me të gjitha mjete që i duhen për të përmbushur misionin e saj. Dua të theksoj se këto angazhime të përbashkëta me ushtritë e vendeve anëtare të NATO-s, me ushtrinë e SHBA-së, siç ishte rasti në Irak kanë sjellë një cilësi të re për Forcat tona të Armatosura. E vërteta është se ka na ka rastisur realisht në këto 3-4 vite të kemi njëra pas tjetrës fatkeqësi natyrore, por vendosmëria, gjakftohtësia, aftësitë e kompetencat e njësive të Forcave të Armatosura kanë qenë përcaktuese në përballimin e tyre me sukses. Ne patëm këtë vit dimrin më të fortë në 27 vitet e fundit dhe njësitë e Forcave të Armatosura u vendosën në Kukës dhe ndërmorën me dhjetëra e dhjetëra operacione ndihme e shpëtimi. Po kështu vjet, në përmbytjen e jashtëzakonshme që patëm. Pra, kjo veprimtari në fushë betejë është gjithashtu një aset shumë i çmuar, për të përballuar me sukses vështirësitë që krijohen në Shqipëri e në çdo vend, shpesh herë të ngjashme e më të egra se vetë lufta. Më kujtohet vjet, kur kam shkuar tek diga e Torovicës, niveli i ujit ishte 7 metra dhe absolutisht dukej det, por nuk patëm asnjë jetë të humbur, pasi ju bëtë një punë të shkëlqyer në evakuim e në çdo gjë. Nesër do të shkoj edhe në Kandahar e në Herat të takoj shokët tuaj atje, t’i përshëndes. Edhe një herë ju përgëzoj për detyrën që kryeni me shume dinjitet e aftësi dhe uroj të ktheni shëndoshë e mirë e faqebardhë në vend.


* Fjala përshëndetëse e Kryeministrit Berisha në takimin me ushtarakët shqiptarë në mision në Shtabin e ISAF, në Kabul

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›