E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Bajram Begaj Presidenti i ri i vendit, SHBA: Forcojmë më tej partneritetin! Varhelyi e Borrell: Mezi presim të bashkëpunojmë

Ndërkombëtarët nuk kanë hezituar të urojnë Bajram Begajn pas zgjedhjes së tij si Presidenti i ri i vendit. Ambasada Amerikane, teksa përmend kontributin e Begajt në bashkëpunimin midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në fushën e mbrojtjes, si shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, thekson se presin të punojnë me të për të forcuar edhe më tej partneritetin mes dy vendeve.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës uron Bajram Begaj për zgjedhjen e tij si Presidenti i ardhshëm i Shqipërisë. Si Shef i Shtabit të Përgjithshëm, ai kontribuoi në mënyrë domethënëse në bashkëpunimin midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në fushën e mbrojtjes. Ne presim me kënaqësi që të vazhdojmë të punojmë me të në detyrën e tij të re dhe të forcojmë më tej partneritetin midis vendeve tona”, thuhet në reagim.

Ndërkohë, Komisioneri Europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi e ka përgëzuar Begajn për detyrën e re, teksa thotë se pret që të nisin bashkëpunimin për të çuar Shqipërinë drejt integrimit në BE.

“Urime Bajram Begajt për zgjedhjen e tij si President i ardhshëm i Shqipërisë. Në pritje të punojmë së bashku për të çuar përpara Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit në BE”, shkruan Varhelyi.

Po ashtu një urim ka ardhur edhe nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell.

“Urime Bajram Begajt për zgjedhjen e tij si President i ardhshëm i Shqipërisë. Ne mezi presim të punojmë së bashku për një marrëdhënie të begatë, të sigurt dhe solide BE-Shqipëri, si anëtarë të një familjeje evropiane“, shkruan Borrell.

Po ashtu edhe Ambasada gjermane ka përgëzuar Bajram Begajn për zgjedhjen si president i ri i Shqipërisë.

“Përgëzoj përzemërsisht z. Bajram Begaj për zgjedhjen si President i ri i Republikës së Shqipërisë ditën e sotme. Zgjedhja e Presidentit qëndron mbi politikën e ditës. Ajo krijon mundësinë unike për tu angazhuar në shenjë të bashkimit si dhe – nisur nga sfidat, përpara të cilave gjendet Shqipëria – për të punuar në kapërcimin e llogoreve politike e për të mbështetur kulturën e bashkimit përtej partive. Në këtë kontekst i uroj z. Bajram Begaj shumë forcë e çdo të mirë”, shkruan ambasada gjermane.

Edhe prezenca e OSBE në Tiranë ka uruar Begajn për zgjedhjen në postin e kreut t ri të shtetit.

“Përgëzime të ngrohta Bajram Begajt për zgjedhjen President i ardhshëm i Republikës, dhe urimet më të mira për pesë vitet në postin më të lartë, si përfaqësues i unitetit të popullit. Prezenca e OSBE-së pret me kënaqësi një bashkëpunim të frytshëm”, shkruhet në postim në Twitter.

Bajram Begaj është zgjedhur President i Republikës së Shqipërisë me 78 vota pro dhe 4 kundër dhe 1 abstenim në raundin e  katërt të votimit. Begaj, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, do të jetë presidenti i 8-të i vendit që pas shpalljes së pluralizmit. Ai u prezantua mbrëmjen e të premtes nga maxhoranca socialiste.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›