Zgjedhja e Bajram Begajt President, Salianji kritikon bojkotin e opozitës: Avaz i vjetër që e nxjerr të paaftë për betejë

Deputeti demokrat, Ervin Salianji, ka dënuar bojkotin e opozitës gjatë votimit për presidentin e ri të vendit, ku u zgjodh në krye të shtetit Bajram Begaj. Me një postim në Facebook, Salianji shkruan se bojkoti është avaz i vjetër që e nxjerrë opozitën të paaftë për betejë në sytë e publikut.
Sipas Salianjit, çdo taktikë duhet përdorur brenda institucioneve.
“U ulën me Ramën por nuk ulen kundër Ramës! Bojkoti është avaz i vjetër që e vendos opozitën në pozitë të vështirë me miqtë dhe partnerët, e nxjerr të paaftë për betejë në sy të opinionit publik dhe e bën të pabesueshme kur një pjesë e grupit parlamentar në vënd që të bojkotojnë Ramën dhe tre përfaqësuesit e kryesisë së tij, bojkotojnë Kuvendin! Në Parlament opozita dhe ky grup parlamentar ka marrë pjesë kur u votua kryetarja e parlamentit, kur u votua qeveria apo kur votohen ligje dukshēm për favorizime korruptive dhe ka zgjedhur të luftojë, nuk mund të mungonte sot, çdo taktikë duhet përdorur brenda institucioneve! Nuk lahet gabimi i uljes në tavolinë jashtë institucionale me 3 përfaqësuesit e PS duke bërë një gabim të ri edhe më të rëndë! Se cfarë është Rama e thamë me të madhe, të shpresojmë që në të ardhmen mos përdoren nevojat për protagonizma personale për të dëmtuar opozitën”, shkruan ai.
Bajram Begaj u zgjodh sot (4 qershor) si Presidenti i ri i vendit me 78 vota pro. Deputetët demokratë që mbështesin ish kryeministrin Sali Berisha u larguan nga salla kur filloi votimi, ndërsa një pjesë tjetër, që njeh si kryetar të grupit demokrat zotin Enkelejd Alibeaj, nuk morën pjesë në seancë.
/rtsh.al/