Bajramaj ndahet keq me Potsdamin

Fatmire Bajramaj nuk është larguar në mënyrën më të mirë nga Turbine Potsdam. Futbollistja kosovare është akuzuar se ka qenë e ndikuar nga të tjerët, në humbjen e klubit gjerman nga Olympique Lyon në finale të Ligës së Kampionëve, të enjten mbrëma.
“Janë përhapur akuza false kundër meje dhe ambientit tim. Këto nuk kanë të bëjnë aspak me fair-play. Ndryshimi që kam bërë ka qenë mirë i konsideruar nga unë. As prindërit e mi e as menaxheri nuk janë munduar të më kontrollojnë. Më janë veshur akuzat padrejtësisht”, ka shkruar Bajramaj në një komunikatë për shtyp.
Trajneri i saj i deritashëm, Bernd Schroder, pas humbjes në kompeticionin më të rëndësishëm evropian, e ka akuzuar 23 vjeçaren se është ndikuar nga prindërit dhe menaxheri i saj.
“Nuk arrij t’i kuptoj këto akuza për prindërit dhe menaxherin tim Dietmar Ness, vetëm për faktin se kam vendosur të largohem. Natyrisht, mund ta kuptoj zhgënjimin e Potsdam, por unë kam qenë gjithmonë e pasionuar për suksesin e klubit”, shkruan përfaqësuesja gjermane. Bajramaj, e cila do t’i bashkohet gjatë verës FFC Frankfurtit, e pranon se ka pritur një përshëndetje ndryshe me klubin ku fitoi gjithçka.