E Diel, 1 Nëntor 2026

Refuzohen sërish

Federata Evropian e Hendbollit e ka refuzuar sërish kërkesën e Federatës së Hendbollit të Kosovës për anëtarësim me të drejta të plota në këtë asociacion. Udhëheqësit e hendbollit serb po ‘rrahin gjoks’ për këtë, duke pohuar se me diplomaci e bindën Evropën që t’i thotë ‘Jo’ Kosovës. Nga Valon Konushevci më 30 maj 2011 në ora 11:52

Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK) assesi nuk po ia del të anëtarësohet me të drejta të plota në Federatën Evropiane të Hendbollit (EHF), e cila qe disa herë po e refuzon kërkesën e udhëheqësve të hendbollit kosovar.

Në fakt, FHK’ja është anëtare e EHF’së nga dhjetori i vitit 2004, por me të drejta të kufizuara, që do të thotë se vetëm klubet kosovare kanë të drejtë pjesëmarrjeje në garat evropiane, por jo edhe përfaqësuesja e Kosovës.

Kohë më parë, drejtuesit e hendbollit kosovar kishin aplikuar ‘fshehurazi’ për t’u anëtarësuar me të drejta të plota në shtëpinë evropiane të hendbollit. Kjo kërkesë u shqyrtua në mbledhjen e anëtarëve të Kongresit të EHF’së, e cila u mbajt gjatë fundjavës në Koln të Gjermanisë.

Por, evropianët edhe kësaj radhe e refuzuan kërkesën Kosovës, e cila do të vazhdojë të mos jetë e barabartë me shtetet e tjera anëtare të EHF-së. Madje, kësaj të fundit nuk i erdhi keq që ta refuzojë Kosovën, e njëkohësisht ta pranojë Andorrën.

Ndërsa gazeta Express gjatë gjithë ditës së dielë ka provuar të kontaktojë numrin një të hendbollit kosovar, Mexhit Devajën dhe sekretarin Izet Gjinovci, që ishin të pranishëm në Kongresin e EHF’së, por kjo ishte e pamundur.

Në anën tjetër, udhëheqësit e Federatës së Hendbollit të Serbisë me padurim ua kishin konfirmuar mediave të vendit të tyre lajmin se EHF-ja e ka refuzuar kërkesën e palës kosovare.

Madje, ata po ‘rrahin gjoks’, duke pohuar se falë lobimit të tyre, shtëpia e hendbollit evropian i ka thënë ‘Jo’ kërkesës së kosovarëve.

“Gjëja më pozitive është zgjidhur, sepse EHF-ja e ka pranuar kërkesën për anëtarësim të Andorrës, dhe përsëri u refuzua ajo e Kosovës, në saje të përpjekjeve diplomatike të delegacionit të Federatës së Hendbollit të Serbisë”, ka thënë për mediat serbe, sekretari i përgjithshëm i shtëpisë së hendbollit serb, Bozidar Durkovic, vendi i të cilit do të jetë nikoqir i Kampionatit Evropian, i cili do të mbahet gjatë muajit janar në disa qytete serbe.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›