Kabashi mbron titullin e kampionit të botës

Besim Kabashi e ka mbrojtur për herë të dytë titullin e kampionit të botës WKA, në kategorinë super të rëndë. Tajboksieri kosovar, i cili e mban kurorën e më të mirit nga shtatori i vitit të kaluar, fitoi ndaj çekut Petr Vondracek.
Kabashi, i cili nuk u la në asnjë moment anash nga shikuesit e shumtë të pranishëm në sallën e Munchenit në Gjermani, ishte i sigurt në çdo çast ndaj kundërshtarit dhe fitoi me meritë.
Në luftën e tij të 36-të, tajboksieri kosovar e filloi luftën mjaft mirë dhe e hodhi disa herë në dysheme kundërshtarin e rrezikshëm, 8 kilogramë më të rëndë.
Në raundin e tretë, Kabashi e gjeti veten në vështirësi, pasi që Vondracek me përvojë më të madhe u tregua mjaft i rrezikshëm. Mirëpo, ai e ktheu kontrollin në raundin e katërt, kur e detyroi kundërshtarin ta dorëzonte meçin.
Kjo ishte fitorja e 35-të në 36 duele për Kabashin. Edhe pse e përfaqësoi Gjermaninë, tajboksieri kosovar nuk e harroi vendin e tij, duke u mbështjellë me flamurin kombëtar shqiptar, pas fitores së rëndësishme.