E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajrami: Amandamentimi i jep fund pavarësisë së mbikëqyrur

“Përmes ndryshimeve kushtetuese do të mundohemi t’i japim fund pavarësisë së mbikëqyrur, në mënyrë që prania civile ndërkombëtare t’i bartë edhe ato kompetenca që i ka ndalur dhe të kalojë në një rol monitorues”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryesuesi i Komisionit për amendamentimin e Kushtetutës së Kosovës, Arsim Bajrami. Nga Express më 24 prill 2011 në ora 15:26

Kryesuesi i Komisionit për amendamentimin e Kushtetutës së Kosovës, Arsim Bajrami thotë se tre vjet pas pavarësisë dhe pas implementimit të Kushtetutës së Kosovës janë pjekur kushtet politike që të rishqyrtohet Kushtetuta e Kosovës në shumë segmente dhe mendoj se po fillon një proces i reformave të gjithanshme, të cilat kanë tri qëllime kryesore.

"Qëllimi i parë është që të bëjmë një reformë substanciale sa i përket institucionit të presidentit për të shkuar në një zgjedhje të drejtpërdrejtë të presidentit apo rreth një praktike presidenciale të zgjedhjes së presidentit. Segmenti i dytë është që të plotësohet shteti i Kosovës me qeverisje - në kuptimin që të tërhiqet qeverisja ndërkombëtare në shumë sektorë dhe të fuqizohet në aspektin kushtetues Kosova përmes kompetencave të reja të organeve. Dhe, segmenti i tretë është që, në fakt, të krijohet një bazë e mirë kushtetuese për reformimin e plotë të sistemit zgjedhor duke hapur mundësinë që në Kosovë të hapen më shumë zona, sepse në zgjedhjet e kaluara sistemi me një njësi zgjedhore ka reprodukuar mjaft pengesa dhe mjaft shkelje, të cilat seriozisht kanë cenuar integritetin e zgjedhjeve", tha Bajrami.

Sipas Bajramit, nuk janë pjekur ende kushtet që Kosova të kalojë në sistemin presidencial.

"Kosova nuk ka një stad demokratik që të kalojë në një sistem të pastër presidencial, sepse sistemi presidencial është një formë e kualifikuar e demokracisë, apo një demokraci me një tranzicion të përfunduar. Ne jemi në fillet e tranzicionit, por me zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit, ne po i balancojmë pak pushtetet. Kjo për shkak se edhe kur është shkruar Kushtetuta e Republikës së Kosovës, pozita e presidentit ka qenë asimetrike - edhe pse i zgjedhur nga Parlamenti, edhe pse një president parlamentar ka pasur goxha kompetenca, madje kompetenca që kanë tejkaluar kompetencat e shumë presidentëve të rajonit që zgjidhen drejtpërdrejt nga populli. Me zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit tani ky sistem po pajtohet plotësisht me fuqinë kushtetuese apo me kompetencat e presidentit që janë mjaft të avancuara dhe kanë edhe elemente ekzekutive. Kështu që, Kosova vazhdon të qeveriset me një sistem parlamentar, por me një president plotësisht të ndarë nga Parlamenti dhe një president, i cili tani ka kushte të jetë plotësisht në funksion të unitetit të popullit", theksoi ai.

Bajrami thotë se reforma kushtetuese nuk do të prekë vetëm institucionin e presidentit dhe nuk do të merret vetëm me ndërrimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit, por domosdoshmërish do të pretendojë të ndryshojë edhe ato dispozita, të cilat nuk janë treguar shumë funksionale.

"E theksova, përmes ndryshimeve kushtetuese do të mundohemi t’i japim fund pavarësisë së mbikëqyrur në mënyrë që prezenca civile ndërkombëtare t’i bart edhe ato kompetenca që i ka ndalur dhe të kalojë në një rol monitorues. Përpos ndryshimeve kushtetuese, komisioni, të cilin unë e kryesoj, ka mandat të punojë edhe në dy ligje: ligji i parë është Ligji për zgjedhjen e presidentit, për shkak se kemi nevojë për një ligj për të shkuar në zgjedhjet presidenciale dhe ne do ta ndryshojmë edhe ligjin aktual për presidentin, sepse zgjedhja e drejtpërdrejt e presidentit implikon një pozitë të re të presidentit. Dëshiroj të theksoj se sa i përket të drejtave të pakicave të përcaktuara me Pakon e Ahtisaarit, nuk do të udhëhiqemi nga një motiv i zvogëlimit të tyre, sepse kjo çështje është diskutuar mjaft me rastin e pavarësisë së Kosovës dhe Kosova ka dhënë garanci përtej standardeve ndërkombëtare si shtet. Ne nuk do të insistojmë që ta sfidojmë Pakon e Ahtisaarit në segmentin e të drejtave të pakicave dhe do të insistojmë që gjithsesi pakicat të jenë pjesë e reformës kushtetuese. E dini që na duhet një pajtim, sepse miratimi i Kushtetutës, përpos që kërkon dy të tretat e votave të deputetëve, kërkon edhe dy të tretat e pakicave. Kështu që, pa një pëlqim ndëretnik nuk mund të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nuk do të udhëhiqemi nga motivi i zvogëlimit të të drejtave të pakicave, por në një periudhë të drejtat e pakicave duhet të vendosen në kornizat e standardeve evropiane. Kjo për shkak se aktualisht të drejtat e tyre tejkalojnë standardet evropiane dhe është në interesin e pakicave që ato t’u përshtaten rregullave të demokracisë, rregullave “një qytetar-një votë” dhe të participojnë në zgjedhje - në jetën politike, në mënyrë që të mos kënaqen vetëm me vendet e dhuruara apo vendet e garantuara. Kjo është një çështje politike dhe mendoj se ne do të jemi gjithëpërfshirës në debatin kushtetues", tha ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›