Nuk pritet shtrenjtim i karburanteve

Çmimet e karburanteve në Kosovë vazhdojnë të jenë ndër më të lartat në rajon. Sipas drejtuesve të Shoqatës së naftarëve, shkak për këtë është ngritja e çmimit në bursën botërore dhe laramania e çmimeve në pompat e karburanteve në vend. Ndërkohë ata kanë paralajmëruar se nuk pritet të ketë ngritje të çmimit, pasi që ka sinjale nga OPEK-u se do të rrisë rezervat.
Çmimet e naftës aktualisht në tregun vendor sillen nga 1.25 deri në 1.27 euro nga 1.19 euro sa ishte më parë, ndërsa çmimi i benzinës sillet nga 1.23 deri 1.25, nga 1.18 sa ka qenë më parë.
Në Shqipëri, nafta kushton 1.21 euro, ndërsa benzina 1.26 euro, në Maqedoni çmimi për një litër naftë është 1.24 euro, ndërsa një litër benzinë 1.26, kurse në Serbi nafta kushton 1.14 euro, ndërsa benzina 1.17 euro.
Kryetari i Shoqatës së naftarëve, Nazmi Bytyçi, ka thënë për Kosovapress se ngitja e çmimit të karburanteve ndërlidhet me krizat që po kalojnë vendet prodhuese të naftës.
“Faktorët kyç që ndikojnë në këtë lëvizje të çmimit të naftës dhe janë krizat ku janë prodhuesit më të mëdhenj të naftës. Siç dihet në Libi dhe në shtetet arabe dhe kështu ne ndikohemi ka bursat botërore që ngritet, si dhe faktorët të tjerë që ndikojnë, si transporti dhe të gjithë këta parametra ndikojnë në ngritjen e çmimit. Ka pasur lëvizje të çmimeve këtyre ditëve, 4 deri 5 dollarë, por prapë sot qëndron 112 dollarë për barel, çka do të thotë se është një ngritje shumë e madhe dhe kështu kjo reflekton edhe në tregun e Kosovës”, ka thënë Bytyqi.
Në tregun vendor çmimet e karburanteve variojnë nga pompa në pompë.
Sipas, kreut të Shoqatës së natfarëve kjo laramani e çmimeve ndodh, për shkak të lëvizjeve të shpeshta të çmimeve në bursës botërore, ngritjes së dollarit kundrejt euros, si dhe taksat. Por ai shton se kjo varet edhe nga rezervat që posedojnë disa nga pikat e karburante në vend dhe krejt kjo rezulton që të mos kemi çmime të njëjta, pasi edhe ligji nuk e ndalon rritjen apo uljen e çmimeve.
“Besoj që nuk do të ketë ngritje të çmimeve, sepse edhe OPEK-u ka thënë se do të rrisë rezervat të shitjes në botë, kur krijohen rezervat rritet prodhimtaria dhe fillojnë të ulen çmimet. Ndërsa nëse janë konservativ dhe i mbajnë rezervat, atëherë edhe do të ketë rritje”, ka thënë Bytyqi.
Në çrregullimin e tregut dhe në laramanin e çmimeve të derivateve ndikon edhe kontrabanda e karburanteve në veri, ku benzina dhe nafta shiten me çmime dukshëm më të lira. /kosovapress/