E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Te Urtet" s‘e bejne dot kete pajtim

A ishte gjetje e duhur delegimi i Sabit Brokajt, politikanit të tërhequr nga politika aktive, për të nisur negociatat së bashku me një grup emrash të njohur të politikanëve të majtë, për uljen në dialog mes PS-së dhe LSI-së? A ia arriti Ilir Meta të krijojë bindjen në publik se është i vendosur për të arritur një pajtim me kryesocialistin Edi Rama para zgjedhjeve të reja?

Në fakt, pyetjet për këtë çështje janë më të shumta se përgjigjet e mundshme. E vërteta është se me këtë propozim që shpalli LSI, u risoll në përdorim një formulë e vjetër për një koniunkturë të re. Gjendja dhe sjellja e sotme mes dy partive kryesore të së majtës, shpreh më së miri ndarjen, por nuk ekspozon shkaqet dhe arsyet reale të mospajtimit politik mes dy udhëheqësve partiakë të tyre. Ilir Meta, natyrisht që e ndien më shumë se përballësi i tij, më politikëbërës Edi Rama, nevojën për një sjellje të devotshme pajtuese mes së majtës.

I nevojitet deri në ditën e fundit të fushatës elektorale kjo vijë dhe kjo performancë Ilir Metës. Në emër të kësaj nevoje dhe leximit të saj nga anëtarësia e majtistëve shqiptarë, si të tillë, Ilir Meta besoj se do të vijojë të kërkojë edhe më tej mbështetje. Ai pas "të urtëve" do të vazhdojë t‘u drejtohet gjithë grupeve dhe shtresave të majtistëve, për të shtyrë dhe afruar dialogun pajtues mes dy udhëheqësive të kësaj së majte. Do ta shpalosë si qëllim të hapur këtë gjë zoti Meta edhe në ditët e afërta. Kjo shtysë dhe ky aksion ofertash dhe deklarimesh duket se do të vijojë deri në orët e fundit të afatit kohor, kur partitë politike konform kodit elektoral, të shpallin listat emërore të kandidatëve për deputetë. Paskëtaj, një skemë e re veprimi, lëvizjesh dhe reagimesh politike kemi për të hasur dhe kemi për të shijuar në mjedisin politik dhe atë partiak të vendit.. Kur të nisë kjo sherrnajë, dialogu i kërkuar nën moton e "bashkimit të së majtës", do të shndërrohet sërish në një "pankartë" të harruar. Vrundujt e pakënaqësive, brenda dhe jashtë secilës parti do të ndezin një kapitull të ri artikulimi dhe lëvizjesh nominale, në skenën partiake dhe atë politike në përgjithësi. Këto do të jenë pjesë me ndikim në aktin e madh elektoral.

Por pa mbërritur ende aty, le të mbetemi sërish te lëvizja më e fundit e Ilir Metës, e cila në fakt tenton të shprehet, si kontribut radhe, i grupit të politikanëve veteranë të së majtës.

Pse ky grup i "të urtëve" të së majtës e ka të vështirë, kësaj here, ta luajë rolin e kërkuar, zyrtarisht prej Ilir Metës? Kujt i nevojitet më tepër ky mision i "të urtëve"? A janë këta "të urtë" ata që duhen dëgjuar prej dy të padëgjueshmëve që kanë interesa të ndryshme dhe të njëjtë, në këtë moment? Pse në këtë grup "të urtësh" nuk e lyp askush "urtësinë" e ish-kryetarit socialist, Fatos Nano? A nuk i plotëson "kriteret" Fatos Nano për të qenë një "i urtë" profesionist, në politikën e së majtës? Kujt i intereson jetëheshtja e tij dhe, pse është ende në fuqi droja për mosafërimin e tij në mendimdhënien e sotme politike? Pse po afrohet kaq tinëzisht fushata e listimit të emrave për kandidatë, me të cilët dy partitë e së majtës së ndarë, do të konkurrojnë përballë së djathtës?

Retorika është më e ngjeshur se renditja e këtyre pyetjeve. Matanë këtyre pyetjeve gjenden në mundësinë e protagonizmit dhe vendimmarrjes së tyre, Edi Rama dhe Ilir Meta.

Urtësia e kërkuar si delegim prej Ilir Metës, kësaj here, ka gjasa të mos japë rezultat dhe të mos realizojë show-n e dëshiruar. Sepse në një farë kuptimi dhe leximi, ky delegim i "të urtëve" mund të merret si mundësi përdorimi. Këtë zgjedhje Meta e ka vërtet të kërkuar, por prej përballësit të tij, Ramës ajo qysh në moment të parë është përkthyer si një manovër me përdorim. Kredua morale që mbartin emrat e njohur dhe të investuar të "të urtëve" të së majtës, natyrisht që është shumë herë më jetëgjatë se akti i radhës në manovrën dhe sjelljen politike të udhëheqësisë aktuale të së majtës.

Edi Rama e ka flakur kostumin klasik të vetëshpalljes si politikan e aq më tepër profesionist, i rrethuar prej "të urtëve" të historisë së partisë. Shumë pak vëzhguesve dhe analistëve politikë u ka tërhequr vëmendjen deklarata televizive e tij se "unë nuk jam politikan profesionist". Kjo e thënë publike është me sa duket, pjesë integrale e mendësisë së tij të shprehur në sintagmën "matanë së majtës dhe së djathtës". Këto janë pjesë e kodit të tij politik, sikundër edhe pasazhe të fjalorit politologjik, me të cilat ai tenton të skalisë profilin e politikanit tjetër, pse jo të teknoadministratorit të ri politik. Dikush mund të shtojë se kjo është edhe vija e ndarjes së dy politikanëve të së majtës në strategjinë e thithjes së votave nga elektorati i majtistëve.! Ndoshta. Udhëheqësia e majtë është në një proces të rindarjes dhe ripërcaktimit të domenit-votues, në skemën e grupit të partitizmit të majtë. Edi Rama tenton të jetë më aktiv në këtë rikompozim dhe në këtë proces riformulues. Kreativiteti i tij në këtë plan ende nuk është zbuluar plotësisht. Strukturat e trashëguara të së majtës ai i ka futur në procesin e rikompozimit dhe të riarkitekturimit politik.

Ilir Meta vijon të mbetet në besnikërinë e vet ndaj sjelljes me të majtët klasikë. Ai duket se beson ende te miti i "të urtëve" dhe pse jo, te sindromi i idhullsisë majtiste. Për këtë arsye lëvizjen e vet, të rithirrjes në skenë të "të urtëve" të së majtës, e shpalli si akt të vullnetit për shumicë. Heshtja dhe mënimi i Ramës e bëri edhe më të heshtur grupin e udhëheqësisë së vjetër të socialistëve të angazhuar. Kurrë s‘ka pasur kaq heshtje dhe mosprononcim socialistësh për një nismë të tillë si ajo e delegimit të zotit Brokaj. Pse? Mos vallë vetëm për shkak të autoritetit imponues të zotit Rama brenda PS-së?

Mendoj se nuk mjafton ky shkak për këtë heshtje dhe këtë mosfolje. Të majtët kësaj here po japin një provë qetësie, përballë një nisme të brendshme. Në teorinë e përpjekjes politike, thuhet shpesh se nisma e ideuar dhe e propozuar prej një pale, përballet me skeptizimin dhe refuzimin e palës tjetër. Kështu provohet edhe në rastin e delegimit prej zotit Meta të politikanit të tërhequr, Sabit Brokaj, për një reagim bashkues të "të urtëve" të majtë.

Por me sa duket, për shkak të logjikave të ngarkuara dhe të ndarjes për interesa të pabashkueshme, "të urtët" e së majtës nuk e bëjnë dot më "vezën" e bashkimit për një arsye elektorale. Ose së paku, në këtë situatë nuk e bëjnë dot këtë pajtim, pasi kreditet dhe vlerat morale nuk mund të maten për llogari të kandarit elektoral, por për interes dhe qëllim të një kauze.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›