Bakaj-Dinu, replika te Dinamo e Bukureshtit
Administratori i deleguar i Dinamos së Bukureshtit, Kornel Dinu, ka hedhur baltë mbi cilësitë e Elis Bakajt, i ashtuquajturi Kristiano Ronaldo i Shqipërisë, duke e konsideruar futbollistin kuqezi të padobishëm. Bakaj nuk më ka pëlqyer kurrë, ndonëse për të janë shkruar shumë lëvdata. Të mos harrojmë që janë shpenzuar shumë para.
Opinioni im është ky: Bakaj nuk i ka cilësitë për të ndihmuar Dinamon. Nuk po shoh ndonjë reagim prej tij, as impenjim, forcë dribluese, asgjë. Ka shënuar gjithsej 3 gola, që në asnjë rast nuk kanë rezultuar decizivë. Pastaj, është i brishtë. Argjentinasi Mesi nuk është thjesht i bukur për tu parë, por edhe rezultativ, është shprehur Kornel Dinu për Prosport.
Ndërsa mesfushori shqiptar, pasi është njohur me këto deklarata të Kornel Dinut, është shprehur me diplomaci: Kornel Dinu është legjendë e Dinamos dhe mund të bëjë kritika. Unë nuk kam nisur dje të luaj futboll, ndaj e di që do të ketë kritika. Do të shqetësohesha më shumë nëse më kritikojnë tifozët e Dinamos. Sulmi i drejtuesit të Dinamo së Bukureshtit vjen në një moment kur skuadra rumune duhet ti paguajë homologes shqiptare (Dinamos së Tiranës) 100 mijë euro të mbetura borxh nga transferimi i 24-vjeçarit në muajin janar.
