Zeqo: Luajtëm mirë, meritonim fitoren
Për herë të parë, bosi i korçarëve ka mbetur i kënaqur nga paraqitja e kampionëve, por që nuk mjaftoi për të marrë 3 pikët
Ndoshta për herë të parë në këto 6 javë kampionat, presidenti i Skënderbeut, Agim Zeqo, është shprehur se ka mbetur shumë i kënaqur nga skuadra e tij, duke e cilësuar një nga lojërat më të mira që ka zhvilluar ekipi. Presidenti Agim Zeqo, ashtu siç edhe kishte premtuar, të dielën që kaloi e ka ndjekur takimin në tribunën qendrore e Niko Dovanës.
Vetë Zeqo, ashtu si të gjithë të tjerët që kanë parë këtë takim, ka komentuar pas barazimit në fushën e lojës se të tijtë meritonin më shumë se një pikë. Nuk më vjen aspak mirë që nga Durrësi ne dolëm me vetëm një pikë. Fati nuk ka qenë me ne në këtë takim dhe Teutën dy herë e ndalën edhe shtyllat nga pësimi i një goli, që do të ishte me vlera të mëdha për ne në këtë moment. Gjithsesi, ky është futbolli.
Në Laç meritonim të paktën një pikë, por nuk e morëm. Në shtëpinë tonë ndaj Tomorit dhe Kamzës meritonim më shumë se barazimet e bardha, ndërkohë që vjen kjo ndeshje e Durrësit dhe këtu meritonim më shumë se një pikë. Janë vërtet shumë pikë të lëna rrugës, por e rëndësishme është që skuadra është kthyer te lojërat e saj më të mira dhe nuk është e thënë që gjithmonë fati do të jetë kundër nesh. Në fund të fundit ne kënaqëm të pranishmit në stadium me lojën që zhvilluam dhe treguam se kampionët po rikthehen, madje si në sezonin e kaluar, ka pohuar Zeqo.
-6 nga kreu Bosi i korçarëve ka folur edhe për diferencën prej 6 pikësh që ka për momentin Skënderbeu nga kreu i kësaj superlige, që për momentin mbahet nga Tirana dhe Teuta: Sigurisht që diferenca prej 6 pikësh nuk është ndonjë diferencë e madhe, pasi vetëm 540 minuta kanë kaluar deri tani, ndërkohë që nuk kemi kohë të qajmë pikët që kemi lënë, por të shikojmë përpara.
Nga 18 pikë të mundshme që duhej të kishte çdo ekip, të gjithë mund të themi se kanë gabuar, madje edhe kryesueset kanë marrë nga 5 pikë më pak. Kjo na jep besim më të madh se do ti rikuperojmë rrugës këto pikë dhe deri në fundin e fazës së parë ne pa diskutim që do të jemi në vendet e kreut të superligës. Diferenca e vogël me pikë nga kundërshtarët na e jep këtë të drejtë që të besojmë dhe e rëndësishme është që Skënderbeu tashmë po bind.
