Ndreka: Kamzen konsiderojeni si Partizani i vërtete
Sipas mbrojtësit Henri Ndreka, eksperienca e grupit u garaton kamzalinjve arritjen e objektivit në superligë
Falë gllabërimit që u bëri ish-lojtarëve të Partizanit, Kamza ka arritur të ngjitet në kategorinë superiore dhe është pikërisht ky kontigjent që u jep besim kamzalinjve për të mos e diskutuar qëndrimin në elitë. Ditët e fundit kanë treguar një Kamzë në rritje dhe me ego si në kampionat dhe në kupë.
Në mesjavën e shkuar, me gol të Ndrekës, kamzalinjtë mposhtën Flamurtarin në kupë, ndërsa të shtunën fituan 2-1 ndaj Tomorit, ku sërish protagonist është mbrojtësi lezhjan, duke realizuar golin e dytë. Nuk është risi që Ndreka shënon, pasi këtë gjë e kam bërë edhe me parë me Partizanin. Ditët e fundit kanë qenë vërtet të mrekullueshme, pasi kam shënuar në dy takime radhazi,- u shpreh mbrojtësi i bluve Henri Ndreka.
Objektivi Si debutuese, Kamza ka si objektiv rreshtimin në mesin e tabelës, në mënyrë që të mos e diskutojë qëndrimin në superiore. Personalisht them se ekipi me këtë grup që ka do ta arrijë qëllimin e tij. Shikoni vetëm mbrojtjen, që është e gjitha e Partizanit të vërtetë, që luftonte për trofe. Pra, grupi që ka Kamza nuk e ka problem përshtatjen e futbollistëve me njëri-tjetrin, pasi siç e thashë edhe më sipër, prej kohësh kemi luajtur së bashku.
Vërtet jemi Kamza, por mentalitetin dhe grupin e kemi thuajse të Partizanit të vërtetë, jo të këtij të sotmit, që e kanë shkatërruar. Pikëpyetja jonë e vetme në këto gjashtë javë është përballja me Apoloninë, ku them se ata na zunë në gjumë,- vijon më tej lezhjani.
Për Partizanin Në Shqipëri, Partizani është ekipi i zemrës sime dhe më vjen shumë keq se ku ka përfunduar. Dashtë Zoti e të dalë ndonjë sponsor, që merr përsipër ringjalljen e legjendës së kuqe. Nëse te Partizani afrohet ndonjë sponsor, që do të merrte përsipër zgjidhjen financiare, personalisht nuk do ta kisha problem të vishesha sërish i kuq,- përfundon ish-mbrojtësi i demave të kuq, Henri Ndreka.
