E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gilman Lika: Kjo Tiranë nuk njeh kundërshtar

Nga ERJON SALIU

Jemi një skuadër dinjitoze edhe me ekipet më të forta. Por më vjen keq që gjyqtarët na i bëjnë punët më të vështira. Kupa? Kudo shkojmë për fitore

Mesfushori shkodran i bardhebluve dhe i ekipit tonë kombëtar, Gilman Lika, është i kënaqur që në pesë javët e fundit skuadra e tij nuk ka pësuar humbje. Lika analizon fitoren me Bylisin, flet edhe për gjendjen e mirë fizike që po kalon, por tregon edhe detajet se pse u zëvendësua nga trajneri Rubio në pjesën e dytë. E kisha menduar shumë të vështirë ndeshjen me Bylisin, edhe pse luhej në fushën tonë. Të gjitha përballjet që do të luajmë me ekipet që nuk pretendojnë, janë të vështira.

Ekipet e vogla nuk është kollaj që ti mundësh këtu në Tiranë, sepse ato luajnë më shumë në mbrojtje. Me ekipet e vogla edhe Barcelona e ka të vështirë që ta gjejë golin! Megjithatë, ne duhet të mbajmë këtë ritëm dhe besoj se vështirë të na ndalë kush. U zëvendësova sepse kam pasur gjatë javës, para ndeshjes me ballshiotët një gjendje të rënduar gripale. Ndaj edhe me mirëkuptimin e trajnerit në pjesën e dytë u zëvendësova, në mënyrë që gjendja ime të mos përkeqësohej për ndeshjet në vazhdim, – pohoi fillimisht shkodrani Gilman Lika.

Kalendari Tirana, pas fitores me Bylisin do të udhëtojë drejt Fierit në fundjavë, ku e pret një transfertë e vështirë. Vetë Lika, nuk bën dallime mes skuadrave, por thotë se edhe ekipet që duan mbijetesën, duhen vlerësuar njësoj si pretendentet. Na pret një ndeshje në Fier me Apoloninë të cilën ne duhet ta fitojmë, edhe pse nuk do e kemi fort të lehtë. Kalendari ka qenë gjithmonë i vështirë për Tiranën. Unë nuk mund të bëj dallime, sepse të gjitha ekipet për ne janë rivalë, sepse kur e nisim garën, të gjithë kemi zero pikë.

Forma Ndryshe nga vjet, këtë sezon jam në formë shumë të mirë. Kur erdha këtu, kisha një dëmtim dhe ishte hera e parë që luaja me Tiranën. Sigurisht që ambientimi me grupin dhe me tifozët donte kohën e vet. Kurse tashmë gjërat janë bërë më të lehta për mua.

Skuadra Tirana është shumë ndryshe nga ajo që unë kam gjetur. Ekipi po tregon futboll të bukur dhe ajo që është më e rëndësishmja, po merr rezultate pozitive në shtëpi, por edhe në transfertë. Trajneri Rubio pa dyshim që ka pjesën më të madhe të meritave, sepse e gjeti skuadrën mes vështirësive të shumta, pati afrime dhe largime, por ai arriti që të ndërtojë një ekip kompakt dhe konkurrues në të dy frontet, kupë dhe kampionat. Frytet e punës të trajnerit spanjoll duket se po vijnë.

Rivalët Ndër të tjera, Gilman Lika foli edhe për rivalët. Normale që ne ndihemi mirë që Teuta me Skënderbeun janë ndarë në barazim, sepse tashmë u rikthyem në krye, por më shumë duhet që të mendojmë për veten tonë. Sepse ndodh që ndëshkohesh atëherë kur nuk e pret. Besoj se këtë herë nuk do të zbresim më nga froni.

Në Laç për fitore, edhe kupa objektivi ynë

Nesër, Tirana do të jetë mysafire në Laç, për ndeshjen e  dytë të grupeve të Kupës së Shqipërisë. Edhe kupa bën pjesë në objektivat tona. Ndeshja që do të luajmë nesër me Laçin parashikohet e vështirë. Megjithatë, ne duhet që të bëjmë maksimumin edhe në kupë, ashtu siç kemi bërë deri më tani në kampionat. Të gjitha ekipet e kanë pasur të vështirë që të marrin pikë atje, por besoj se do tia dalim me sukses të mërkurën.

 

Duam drejtësi nga gjyqtarët në transfertë

Në këto javë të para shoh që gjyqtarët na kanë dëmtuar, siç ka ndodhur në disa ndeshje në transfertë apo edhe në shtëpi. Unë kujtoj Krujën në rastin e dhënies së 11-m, por edhe ndeshje të tjera. Nuk kërkojmë të na japin 5% siç është bërë e modës, apo favorizime të tjera, por të na mbajnë drejt, sidomos në sfidat që luajmë jashtë fushe, pasi jo njësoj jemi gjykuar. Nuk kërkojmë asgjë tjetër, të marrim vetëm hakun tonë.

2 Trofe ka fituar deri më tani Gilman Lika me bardheblutë, fillimisht Kupën e Shqipërisë dhe më pas Superkupën

2 Gola ka shënura pas gjashtë javëve kampionat mesfushori shkodran Lika. E ka bërë sefte javën e dytë në Krujë me një eurogol nga 25 m dhe ndaj Pogradecit në kryeqytet

Ska pushim, Rubio dhe të tijtë zbresin në fushë

Ndryshe nga herët e tjera, kur pas ndeshjeve të kampionatit, bardheblutë kanë qëndruar një ditë pushim, dje ka ndodhur e kundërta. Trajneri Hulian Rubio Sançez nuk i ka lënë pushim të tijtë, që dje kanë zbritur në fushën e Skënder Halilit, sepse kjo javë do të jetë e ngjeshur për 24 herë kampionët. Tiranën e presin dy transferta delikate, e para që do të zhvillohet nesër dhe do të jetë e vlefshme për Kupën e Shqipërisë, kurse tjera me Apoloninë në fundjavë. Dje kanë qenë të gjithë lojtarët nën urdhrat e trajnerit Rubio dhe skuadra e ndarë në dy grupe ka zhvilluar një seancë me ushtrime të karakterit shkrydhës.

Dushku i dëmtuar në gju, mungon në Laç

Mbrojtësi i bardhebluve, Erjon Dushku, gjatë ndeshjes me Bylisin ka pasur dyluftime të ashpra me disa nga lojtarët ballshiotë dhe si rrjedhojë ai ka pësuar një dëmtim në gju. Dje, Dushku ka qenë i pranishëm në stërvitje, por si vizitor. Ai është konsultuar me trajnerin Rubio dhe më pas ka ndjekur shokët e skuadrës. Me shumë gjasa, Erjon Dushku nuk do të luajë nesër në ndeshjen e Kupës ndaj Laçit, duke pasur parasysh faktin që gjuri i tij ka pësuar ënjtje dhe mbrojtësi nuk do të rrezikojë për ndeshjen e javës së shtatë të kampionatit, transfertën me Apoloninë.

Me Apoloninë luhet të dielën në orën 13:00

Sfida e javës së ardhshme, Apolonia-Tirana do të zhvillohet ditën e dielë në orën 13:00, në stadiumin Loni Papuçiu të qytetit të Fierit. Nisur edhe nga rezultatet e mira në javët e fundit, por edhe duke qenë se është fundjavë, pritet që qindra tifozë bardheblu të ndjekin ekipin e tyre të zemrës në qytetin e Fierit.

Dabulla feston ditëlindjen me skuadrën

Mbrojtësi i Tiranës, Rezart Dabulla, dje ka festuar ditëlindjen me shokët e skuadrës. Pas seancës ai i ka qerasur të gjithë bardheblutë me nga një Red Bull, ndërkohë që urimi i të gjithëve nuk ka munguar për Dabin. Atmosfera dje është ndezur te kryeqytetasit, të cilëve, përveç rezultateve pozitive, nuk po u mungojnë edhe ditëlindjet, ku pak javë më parë kanë festuar edhe Ferraj e Karabeci.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›