E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ne i qëlluam gardistët në Cërrik”

28/01/2009  I penduari Bujar Buzani zbulon të vërtetën

TIRANË- Bujar Buzani një prej personave e akuzuar për masakrën e Cërrikut vendos t’i rrëfehet gjykatës për të dytën herë. Ditën e 23 majit të vitit 1997, mbetën të vrarë 6 gardistë Buzani këtë ditë e kujton mjaft mirë, ndryshe nga disa të pandehur të tjerë që duan të mbulojnë të vërtetën me qëllim mbrojtjen. Ai ka treguar se nga kush i kanë marrë urdhrat për të sulmuar, bashkë edhe me premtimet për viza amerikane. Bujar Buzani ka shkuar edhe më tej, ku në dëshminë e tij ka fajësuar vëllanë Tomorr Buzani dhe dy kushërinjtë e tij, Xhet e Arjan Toska, si pjesëmarrës në masakër. Katër kushërinjtë tashmë janë të gjithë të arrestuar dhe dënuar për vepra të tjera penale. Bujar Buzani fillimisht nuk ka marr avokat duke e quajtur të panevojshëm. Bujar Buzani i është përgjigjur pyetjeve të bëra nga prokurori Anton Martini. Bujar Buzani deklaroi se mbi gardistët është qëlluar me urdhër dhe në befasi. Një pjesë e tyre kanë qëndruar tek kinemaja dhe pjesa tjetër janë sistemuar mbi tarraca. Sapo blindi ka hyrë në Cërrik duke ardhur nga rruga e Belshit, është qëlluar me antitank, ka ripërsëritur momentet e masakrës Bujar Buzani. Buzani ka thënë se atë ditë nuk janë kursyer as plumbat e automatikëve. “Urdhrat për të sulmuar autokolonën, e cila kryesohej nga blindi i Gardës së Republikës, na erdhën nga lart”. Kjo është pjesa kryesore e fillimit të dëshmisë së dhënë dje para gjykatës nga i penduari i grupit të akuzuarve për masakrën e Cërrikut, Bujar Buzani. “Me gjithë ato që kemi bërë, ne meritojmë të marrim dënimin më të rëndë. Kemi qenë të gjithë atje pa përjashtim”, u shpreh më tej Buzani. Skandali i Cërrikut shkon edhe më tej. Dje Buzani ka nxjerrë gjithë të vërtetën. Duket se është zhgënjyer nga ajo që bëri. Buzani tha dje para gjykatës se Met Bozi së bashku me shokë të tjerë i kishin premtuar jo vetëm qetësi pas ngjarjes, por edhe sigurimin e gjithë familjarëve. “Met Bozi na tha se pasi të kishim kryer aktin, do të pajiseshim që të gjithë me viza amerikane dhe do të largoheshim me familjet”. “Ne ishim në shtëpi duke ndenjur me familjet. Për të na dhënë urdhrat e parë ka ardhur Met Bozi. Në atë kohë Met Bozi ka qenë kryetar i Komitetit të Shpëtimit. Bozi na lajmëroi se drejt Cërrikut po vinte autokolona që ishte nisur nga Belshi. Kështu ai na caktoi që të shkonim te kinemaja”.

"Hasmëria me Mandelën"

Sipas Bujar Buzanit, grupi i tyre që udhëhiqej nga Met Bozi dhe Arjan Toska, ishin në hasmëri me Mandelën. Ky i fundit mbahej si një prej të fortëve të Elbasanit dhe tashmë ndodhet i dënuar me burgim të përjetshëm. Sipas Bujar Buzanit, ka qenë edhe kjo një nga pikat e forta që ka shfrytëzuar Met Bozi. Ai është shprehur dje se Met Bozi e dinte këtë gjë dhe përveçse na tha të mbrohemi nga Mandela, na bëri të ditur edhe pozicionet për të qëlluar mbi gardistët. Buzani tha dje në gjykatë se Mandela i kishte sulmuar dhe për këtë qëllim ata kishin ngritur edhe prita. Ishin të armatosur dhe kjo dihej tashmë nga Met Bozi, i cili e ka shfrytëzuar këtë moment.

"Unë dëshmitar"

“Po, është e vërtetë. Ne kemi shkaktuar masakrën e Cërrikut. Kemi djegur të gjallë gjashtë gardistë. Ndërsa janë vrarë dhe dy policë, të cilët ishin në rrugë. Të gjithë janë përgjegjës për atë ngjarje të rëndë. Vëllai im, Tomorr Buzani, ka gjuajtur me automatik. Ndërsa djali i tezes, Arjan Toska, ka qenë personi më kryesor. Ai ka patur në dorë antitankun. Ka qëlluar në drejtim të blindit ku ndodheshin gardistët. Pamë që blindi mori flakë. Ishim aty deri sa ata u dogjën të gjallë. Ne iu afruam blindit dhe nxorëm prej andej vetëm dy trupa sepse të tjerët u bënë shkrumb. Në rrugë pamë edhe dy policë të vrarë. Pasi i nxorëm dhe i lamë në rrugë dy trupat e gardistëve, u larguam. Vajtëm në vendet tona të përqendrimit. Pamë që erdhi zjarrfikësja për të shuar flakët e blindit. Gjithçka e kemi bërë me vetëdije”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›