Beqiri: Ata s’do t’i ndjejnë mungesat
Elvin Beqiri, i rikthyer në kombëtare, beson se Bjellorusia është një “kockë e fortë” dhe se nuk do t’i ketë aspak problem mungesat e saj, ose më saktë këta lojtarë: Zhevnov, Jureviç, Aleksandër Hleb, Kutuzov, Rodionov, Kornilenko e Kalaçev. “Edhe në ndeshjen e parë këta lojtarë nuk kanë luajtur, por ekipi ka qenë mjaft I fortë. Mendoj se ata nuk i kanë problem mungesat. Sido që është gjendja e kundërshtarëve, ne duhet të marrim patjetër rezultat pozitiv,” ka deklaruar Beqiri përpara gazetarëve. Më pas, ish-lojtari i Vllazninë jep mendimin e tij për kombëtaren, natyrisht, parë nga jashtë. “Për të thënë të vërtetën gjithmonë e kam pritur një ftesë, por nuk e di përse nuk jam thirrur edhe pse kam qenë në formë. Gjithsesi, unë kam qenë gjithmonë I gatshëm, ashti siç jam edhe tani, për tiu përgjigjur thirrjes në kombëtare. Nëse do të aktivizohem do të jap maksimumin, por aktivizimi im, si edhe pozicioni në fushë varen nga trajneri. Më kryesorja është se skuadra ka grupin. Në futboll nuk ka lojtarë të vjetër dhe të rinj, por me eksperiencë dhe me të rinj me më pak eksperiencë dhe në kombëtaren shqiptare gjërat janë koordinuar shumë mirë. Si çdo ekip Skuadra ka nevojë të korrigjojë diçka, por kryesorja është se të gjithë kanë dëshirë të japin maksimumin në çdo ndeshje,” ka përfunduar Elvin Beqiri.