Vangjeli: Mposhtim Bjellorusinë dhe shpresojmë
Për mbrojtësin e Arisit, humbja do të thotë sezon i dështuar
Kristi Vangjeli ka qenë i vetmi kuqezi që është përfaqësuar deri në fazën e 1/16 të Europa League, teksa me Arisin e tij ka mundur të kalojë grupin për t’u mposhtur më pas nga miliarderët e Mançester Sitit. Megjithatë, ai ndjehet krenar për këtë aktivizim dhe shpreson që ta shfrytëzojë të gjithë eksperiencën e fituar në të mirë të kombëtares. “Kur Arisi ra në grup me Atletikon apo Bajer Leverkusenin, të gjithë thanë që nuk do të kualifikoheshim dot. Futbolli është shumë i vështirë, por nëse ne japim më të mirën, edhe mund të arrijmë në një kualifikim. Por duhet t’i marrim ndeshjet me radhë dhe të shohim se çfarë do të arrijnë ekipet e tjera. Në kombëtare kam luajtur më shumë ndeshje në krahun e majtë, pasi mungojnë alternativat. Në ekipin tim luaj si mbrojtës i djathtë, pasi aty ndjehem më mirë dhe është pikërisht ky pozicion ku unë jap më të mirën,” ka deklaruar Vangjeli gjatë konferencës së djeshme për shtyp. Më pas, mbrojtësi është fokusuar te shancet e përfaqësueses sonë për të shpresuar për një vend në Euro, por më parë ai dëeklaron se duhet mposhtur Bjellorusia pasi në të kundërt është dështim,. “Bjellorusia na ka vënë në vështirësi dhe në ndeshjen e parë. Ne duhet’u japim një mësim të mirë bjellorusëve. Ne luajmë në shtëpinë tonë, nuk kemi aspak frikë dhe duhet të arrijmë qëllimin: fitoren e kësaj ndeshjeje. Ata nuk duhet të mendojnë se Shqipëria është një ekip i lehtë dhe se po aq lehtë do të kalojnë këtu. Ata duan të fitojnë që t’i afrohen edhe më Francës së vendit të parë, por të jeni të sigurt, se nëse luajmë në mënyrë kompakte, atëherë do të fitojmë. Dështim nëse mundemi? Besoj se po. Ekipi ka shumë vlera dhe kemi shumë lojtarë të mirë dhe në shtëpinë tonë mund të arrijmë rezultatet pozitive. Ne kemi besim te njëri-tjetri dhe kemi dhënë më të mirën nga ndeshja e parë e deri tek e fundit për të arritur fitoren dhe për të marrë sa më shumë pikë. Na duhet fitorja që t’i afrohemi sa më shumë Bjellorusisë dhe që të tentojmë ta kalojmë më pas,” përfundoi deklaratën e tij Vangjeli.