Kotbus dhe Karlsruher,“luftë” për Kapllanin
Nga një futbollist që mezi zinte një vend në 18-n e skuadrës së parë, Edmond Kapllani, është kthyer në një prej të dëshiruarve, të paktën për dy skuadra të Bundesligës së Dytë gjermane. Sulmuesi shqiptar pas kërkesës zyrtare të bërë nga ish-klubi i tij, Karlsruher, duket se është vënë në shënjestër edhe nga Energji Kotbus. Lajmi është dhënë nga mediat gjermane. Kotbus kërkon një sulmues “pykë” për të zgjidhur një herë e mirë problemin në repartin ofensiv. Sytë janë hedhur nga Kapllani nisur dhe nga efektiviteti që lojtari ka pasur gjatë pjesës së dytë të sezonit të fundit kur ishte i huazuar nga Augsburgu te TuS Koblenz. Por për të marrë shërbimet e Kapllanit, veç akordit që duhet të gjejë me ekipin aktual, Kotbusi duhet të mundë edhe konkurrencën e Karlsruher. Arnold Trentl ka theksuar se Kapllani mbetet në krye të listës së dëshirave edhe për shkak se kushton shumë herë më pak. “Unë do të dëshiroja që të kisha në skuadër një lojtar si Isak Boakje i Nyrenbergut por ai është shumë i shtrenjtë për xhepat tanë, ndaj Edmond Kapllani mbetet zgjidhja për momentin”, ka pohuar Trentl.