Flamurtari, gati për miqësoren me Lacion
Flamurtari i ka mbyllur ditët maqedonase për të nisur në Vlorë një tjetër cikël përgatitjesh, në kuadër të sezonit të ri futbollistik, që pritet të startojë më 21 gusht. Më shumë se asnjëherë tjetër, në kampin vlonjat mbizotëron optimizmi për një sezon të suksesshëm, ku synimi i tyre është fitorja të paktën e një trofeu. Ndonëse deri më tani kanë zhvilluar mjaft ndeshje miqësore, kjo nuk mjafton për drejtuesit e Flamurtarit, që kërkojnë ndërtimin e një skuadre kampione për sezonin e ri.
Kështu, drejtuesit kuqezi, kanë menduar të zhvillojnë një tjetër miqësore, por këtë herë me një skuadër italiane të një niveli më të lartë që militon në Serinë A, siç është Lacio. Ideja për të zhvilluar një ndeshje miqësore me skuadrën e Lacios është hedhur nga shefi i klubit të Flamurtarit, Geri çipi, i cili para disa ditësh ka folur me ish-shokun e tij të Kombëtares Igli Tare, ku ky i fundit mban rolin e drejtorit teknik te ekipi italian. Në fakt, kjo është ftesa e dytë që i bën ish-mbrojtësi i Kombëtares, Flamurtarit për të zhvilluar një ndeshje miqësore. Kujtojmë këtu, se para 7 vjetësh, Igli Tare u përpoq të organizonte një takim miqësor midis Flamurtarit dhe ekipit, fanellën e së cilës mbronte asokohe, Breshias. Mirëpo, kjo gjë nuk u arrit, pasi Tare u largua nga ekipi i Breshias.