Bakaj mposht Trepçën në miqësore

Trepça ka pësuar edhe humbjen e dytë në turneun ndërkombëtar, i cili po mbahet në Austri. Klubi mitrovicas, të hënën ka pësuar humbje të thellë nga ekipi rumun, Dinamo Bukuresht 4:0, ku luan edhe mesfushori shqiptar, Elis Bakaj.
Pjesa e parë e këtij takimi ka përfunduar me rezultat 3:0, derisa në pjesën e dytë rumunët kanë realizuar vetëm një gol. Pikërisht golin e katërt e ka shënuar reprezentuesi i Shqipërisë, Elis Bakaj, nga gjuajtja e lirë. Trajneri i ‘Xehetarëve’, Fidaim Haxhiu e pranoi se kundërshtari ishte shumë më i mirë.
“Dinamo luajti shumë mirë dhe demonstroi një lojë siç luhet sot në futbollin evropian. Ne kishim vetëm një rast për gol, kur Zhjeqi goditi shtyllën me kokë. Ne kemi marrë mësim nga ta se si luhet. Po ashtu, ata ishin shumë të përgatitur”, tha Haxhiu për Express, pas ndeshjes.
Takimin e parë mitrovicasit e kanë humbur nga klubi tjetër rumun, Universitatea Cluj, me rezultat 1:0. Trepça të martën do ta zhvillojë një tjetër ndeshje miqësore, derisa në përbërjen e saj pritet t’i ketë edhe futbollistët e vet, të cilët me vonesë kanë udhëtuar drejt Austrisë për shkak të pajisjes me viza.