Kuqi stërvit me Hakën për hatër të vëllait
Shefki Kuqi ka filluar të stërvitë me skuadrën nga elita e futbollit finlandez, Haka. Mirëpo kjo nuk do të thotë që sulmuesi vushtrrias do ta vazhdojë karrierën te ky klub.
Mediat finlandeze të hënën kanë shkruar se Kuqi vetëm do të stërvitet me këtë ekip sa për ta mbajtur formën. Por 34-vjeçari ka treguar edhe një arsyeje tjetër, po ka zgjedhur pikërisht këtë klub për stërvitje.
“Kam stërvitur sot (të hënën) me Hakën, e me siguri do të stërvit edhe nesër. Këtu kam ardhur të stërvitem, pasi dua ta shoh vëllanë tim, Albertin, i cili nga ekipi i dytë ka kaluar në ekipin e parë. Në ndeshje nuk po kam mundësi ta shoh, pasi po jam i angazhuar, dhe u desht ta shikoj në stërvitje”, ka thënë Kuqi për Express.
Ish-sulmuesi i disa klubeve angleze po qëndron për pushime në Finlandë, ku jetojnë edhe prindërit e tij. Ish-reprezentuesi finlandez është futbollist i lirë pasi kontrata me klubin anglez, Newcastel United i ka skaduar me përfundim të sezonin në Premierligë. Kuqi ka oferta nga klube të ndryshme, derisa ende nuk ka vendosur se ku do ta vazhdojë karrierën.