E do Sampdorian
Edhe pse ka siguruar inkuadrimin në Serie A me Novaran, Samir Ujkani sezonin e ardhshëm sërish mund të luajë në një rang më të ulët garash – Serie B.
Interesimi i Sampdorias, që nga sezoni i ri do të garojë në Serie B, ka bërë që portieri kosovar të mendojë seriozisht për një transferim të mundshëm në stadiumin ‘Luigi Ferraris’.
Drejtuesit e klubit të njohur italian pritet që edhe zyrtarisht t’i bëjnë një ofertë Novaras për gjysmën e kartonit të reprezentuesit të Shqipërisë, të cilin e kanë objektiv kryesore për portën e tyre.
“Drejtori sportiv i Sampdorias, Pasquale Sensibile, i cili ka qenë në Novara, po dëshiron që të më marrë me vete. Novara nuk po dëshiron të më lëshojë, por Sampdoria do t’i bëjë ofertë për gjysmën e kartonit tim dhe do ta shohim se çfarë do të ndodhë”, ka thënë 22 vjeçari për Express.
Ish portieri i klubit mbretëror belg Anderlecht e mirëpret kalimin te skuadra nga Serie B, derisa këtë e sheh si hap para në karrierë, edhe pse me Novaran nga sezoni i ri e ka mundësinë të luajë në elitën e futbollit italian.
“Sampdoria është klub i madh dhe me vjen mirë që po dëshirojnë të më transferojë. Kjo për mua do të ishte një hap para në karrierën time, edhe pse do të luaj në Serie B. Unë besoj se Sampdoria vitin tjetër do të rikthehet në Serie A”, theksoi Ujkani.
Por, nëse drejtuesit e Novaras refuzojnë ofertën e Sampdorias, portieri me prejardhje nga Vushtrria tregon se nuk do t’i bie keq pasi do të ketë rastin të luajë në nivelin më të lartë të futbollit italian.
“Çka do që të bëhet për mua do të jetë mirë”, u shpreh portieri shtatlartë, i cili ishe njëri ndër më meritorët që Novara arrti pas 55 vjetësh të rikthehet në Serie A.
Ujkani është në pronësi të përbashkët mes Palermos dhe Novaras. Kjo e fundit i kishte paguar gjatë dimrit një milion e gjysmë euro klubit sicilian për ta siguruar 50 për qind të kartonit.
“Këtë vit nuk kthehem në Palermo sepse portieri Salvatore Sirigu është konfirmuar për sezonin e ri. Unë do të mbetem në Novara ose do të transferohem në Sampdoria”, ka përfunduar Ujkani.
Në vitin 2007, Ujkani ishte transferuar në Palermo nga Anderlecht. Portieri kosovar qëndroi dy sezone te klubi sicilian, derisa gjatë kësaj periudhe kryesisht ishte portier i dytë i ekipit. 22 vjeçari me klubin nga stadiumi Renzo Barbera ka zhvilluar vetëm një takim në Serie A, para se të huazohet te Novara në vitin 2009.