Botërori 2014, Brazili vonë me punimet
Koha po punon kundër Brazilit në lidhje me organizimin e Botërorit 2014. Vonesat në ndërtimin e stadiumeve dhe infrastrukturës së nevojshme për një kompeticion të këtyre përmasave shqetësojnë FIFA-n, ndërkohë që duket se parashikimet e skeptikëve po realizohen. Sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Zherom Uals është shprehur se Brazili është vonë me punimet në ndërtimin e stadiumeve, aeroporteve dhe infrastrukturës. “Nuk mund të them se Brazili i nisi me vonesë punimet, por fakt është se nuk kemi ende stadiumet, aroportet dhe rrugët. Ky është një problem, pasi 2 vjet na ndajnë nga Kupa e Konfederatave dhe 3 nga Kupa e Botës’, ka thënë Uals, i cili ka folur në Moskë, gjatë një konference të përbashkët me organizatorët rusë të Botërorit 2018. Ndryshe nga Brazili, zyrtari i lartë i FIFA-s është shprehur optimist se të tilla probleme nuk do të shfaqen me Rusinë. “E rëndësishme është të kuptojmë se duhet nisur sa më shpejt punimet, pasi gjithçka duhet të jetë në kohë. Nuk ka asnjë vend, sado i fuqishëm që të organizojë nesër një turne si Kupa e Botës”, ka përfunduar Uals. Projekti i Rusisë fitoi të drejtën e organizimit të Botërorit 2018, pasi mundi rivalitetin e fortë të Anglisë.