Tarifat celulare, 20 % më të ulëta
Brenda këtij viti tarifat e telefonisë celulare do të pësojnë një ulje me 20 % në një kohë që edhe gjatë vitit 2009 ulja do të jetë sërish 20 %, gjë që do të çojë në një ulje të shpenzimeve të konsumatorëve, duke ndikuar edhe në rritjen e konkurrencës mes operatorëve të telefonisë celulare në vend. Këshilli i Ministrave ka miratuar kështu, metodologjinë e rregullimit të tarifave përsa i përket operatorëve të telefonisë me fuqi të ndjeshme në treg siç janë tre kompanitë që operojnë tashmë në tregun shqiptar. Rregullimi i tarifave do të sjellë një ulje mesatare të tarifave të telefonisë celulare në 2009-ën mesatarisht me 36 %, krahasuar kjo ulje me tarifat ekzistuese kanë bërë të ditur burimet nga transportet. Ulja e tarifave të telefonisë celulare do të ndikojë në uljen e shpenzimeve të konsumatorëve, dhe kjo do të ketë sigurisht ndikimet e veta në bilancet e kompanive, të cilat të paktën deri tani janë cilësuar si biznese që realizojnë fitime kolosale. Aktualisht në Shqipëri operojnë 3 operatorë të telefonisë celulare, të cilët për nga tarifat që ofrojnë nuk kanë dallime të mëdha. Lekët për një min bisedë shkojnë nga 36- 45, por sërish kompanitë duke përdorur ofertat dhe ndarjet preferenciale brenda rrjetit ofrojnë çmime të ndryshme. Hyrja e një kompanie të tretë në tregu shqiptar sipas analistëve do të ndikonte në uljen e ndjeshme të tarifave, kjo pasi kompania do të synonte të paktën të pozicionohej dhe të zgjerohej në treg. Nga ana tjetër, kjo do të thotë se ulja e tarifave do të jetë në dorë të kompanive dhe konkurrencës mes tyre.