E Diel, 1 Nëntor 2026

Bakteri i papastërtisë, që na bën më të zgjuar

Sipas një studimi amerikan, ekziston një mikrobakter që është i aftë të ndryshojë organizmin tonë. Quhet “Mycobacterium vaccae” dhe gjendet kryesisht në fshat e në ambientet e pista, ku mund të thithet lehtë

Që para tre vjetësh dikush tha se mund të funksiononte si antidepresiv (dhe si pasojë menjëherë e pagëzuan “‘Prozac’-u i pisllëkut”), por tani kemi shkuar më tej: është një bakter, ose më saktë një mikrobakter, emri latin i të cilit, “Mycobacterium vaccae”, të bën të kuptosh se ku është zbuluar për herë të parë, pikërisht në jashtëqitjen e lopëve. Mikrobi, jo armiqësor, edhe pse i familjarizuar me mikrobakteret që shkaktojnë tuberkulozin, gjendet kudo në tokë dhe sidomos në papastërti. Mund të thithet ose gëlltitet nga njerëzit kur janë në ambiente të hapura. Ky mikrob po shfaq gjithashtu cilësi të paparashikuara të stimulit mbi trurin.

Higjiena e tepërt

Si dëshmi janë disa teori, sipas të cilave higjiena e tepërt të bën keq, sepse nuk nxit ashtu siç duhet sistemin imunitar dhe nga momenti që ky i fundit krijon një lidhje të fortë me trurin, higjiena moderne mund të ketë efekte negative edhe mbi neuronet (mund të shkaktojë gjithashtu rritjen e alergjive). Studimi i fundit, i prezantuar në takimin e njëmbëdhjetë të Shoqërisë Amerikane të Mikrobiologjisë në San Diego, është kryer te minjtë, por për realizimin e tij kanë marrë pjesë një grup i madh studiuesish, të cilët punojnë në “The Sage Colleges” në Troj, Nju Jork. Ideja për të studiuar efektin e këtyre baktereve lindi pikërisht nga studimet e mëparshme mbi depresionin. Para tri vjetësh, një grup mikrobiologësh anglezë nga Universiteti i Bristolit dhe Universiteti i Londrës kishin vënë re se ekspozimi ndaj bakterit i një grupi pacientësh të sëmurë me kancer i kishte bërë më optimistë në lidhje me situatën e tyre.

Serotonina

Në atë kohë Chris Lowry nga Universiteti i Bristolit e kishte shpjeguar këtë rezultat me faktin se mikrobakteri nxit sistemin imunitar dhe aktivizon në tru një grup neuronesh të afta për të prodhuar serotoninën, një hormon që përmirëson humorin dhe pakëson ankthin (disa antidepresivë veprojnë pikërisht duke rritur nivelin e serotoninës në tru). “Përveç kësaj serotonina ka një rol pozitiv edhe mbi proceset e të mësuarit. Ne jemi përpjekur ta verifikojmë këtë efekt me një eksperiment të provuar te kafshët”, ka shpjeguar Dorothy Matthews në San Diego. Rezultatet e vërtetuan këtë. Studiuesit e “Sage College” në Nju Jork, duke bërë eksperimente te disa kafshë, zbuluan përparësitë e bakterit, i cili transportohet lehtë nga një ambient në tjetrin prej erës dhe mund të thithet nga personat që punojnë në natyrë. Ky bakter është i aftë të stimulojë trurin duke e shtyrë të prodhojë serotoninë. Serotonina (5-HT) është një triptaminë, neurotransmetues monoaminik i sintetizuar te neuronet serotononiergjike të sistemit nervor qendror dhe qelizat enterokromafine në aparatin gastrointestinal, organi kryesor në rregullimin e humorit. Për të arritur në këtë përfundim bënë tri teste te disa minj laboratori. “Duke qenë se serotonina luan një rol të rëndësishëm në aftësinë e të mësuarit, shtruam pyetjen nëse ky mikrobakter mund ta përmirësonte këtë aftësi edhe te këto kavie”, ka thënë profesoresha Jenks.

Në eksperimentin e parë, minjtë u ndanë në dy grupe: i pari u ushqye me bakterin, ndërsa i dyti jo. Më pas iu nënshtruan një prove orientimi në një labirint. Minjtë e ushqyer me “Mycobacterium vaccae” orientoheshin në labirint me një shpejtësi dyfishe në krahasim me ata të grupit të dytë.
Në testin e dytë, ekspertët preferuan ta eliminonin mikrobakterin nga ushqimi dhe ashtu siç e kishin parashikuar, puna e minjve kishte një rënie të theksuar.

Në eksperimentin e fundit, që u krye pas tri javësh, u vërejt se kaviet e grupit të parë arrinin ta përshkonin më shpejt labirintin sesa kaviet e grupit të dytë.

Reduktimi i ankthit

“Këto studime sugjerojnë se ‘Mycobacterium vaccae’ mund të ketë një rol të rëndësishëm edhe në uljen e ankthit dhe rritjen e aftësisë së të mësuarit. Në këtë pikë do t’ia vlente që ky mikroorganizëm të bëhej pjesë e programeve shkollore, aktiviteteve në natyrë, apo të ishte i pranishëm në ambientet e tjera që na rrethojnë, me qëllim që të ulet niveli i ankthit te nxënësit dhe si pasojë të përmirësohet studimi”, ka komentuar Matthews. Dy shkencëtarët kanë hedhur hipoteza se mikroorganizmi mund të ketë efekte të ngjashme edhe te qeniet njerëzore, sidomos te personat që punojnë në natyrë. Hapi tjetër i studimit, po ashtu tepër interesant, ka të bëjë pikërisht me gjitarët dhe në veçanti me qeniet njerëzore.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›