BOTËRORI QË PO ÇMEND TELEVIZIONIN
Që prej datës 11 qershor, në Afrikën e Jugut ka filluar botërori i futbollit, “Fifa Sokker Wereldbekertoernooi” (thënë ndryshe në gjuhën e Afrikës së Jugut). Fillimisht në garë ishin 32 skuadra, të cilat do të luanin në 10 qytete dhe do të gjykoheshin nga 90 arbitra. Ndeshjet janë dhe po transmetohen nga 33 kamera në çdo stadium. Njëra prej këtyre kamerave do ta transmetojë ndeshjen nga pika “të pamundura” vështrimi. Përveç kësaj, 7 telekamera të tjera do të transmetojnë sinjal 3D. Përmes kësaj teknologjie teleshikuesit kanë arritur të hyjnë në “kabinën e regjisë” së botërorit. Kjo mënyrë, që duket aq e thjeshtë në pamje të parë, ka treguar se si mund të shihet ky kampionat nëpërmjet teknologjisë më të fundit televizive.
Transmetimi perfektMendohet se ajo që të krijon ndjesinë e të qenët në stadium është marrja perfekte e sinjalit: “Në të vërtetë është diçka krejtësisht ndryshe”, shpjegon një regjisor, i cili ka 30 vjet eksperiencë në transmetimet sportive. “Pikat e vështrimit, detajet e lojës, madje edhe zhurmat që dëgjojmë në shtëpi, nuk kanë asgjë të përbashkët me stadiumin: shprehjet e futbollistëve, kontakti apo zhurma e prekjes top-këmbë, janë ndjesi me të cilat jemi mësuar përmes kronikave televizive dhe që “bëjnë” ndeshjen në televizor. Por në stadium publiku nuk i sheh në të njëjtën mënyrë: është si një zhurmë që vjen nga thellësia e stadiumit, por që humbet pothuajse gjithnjë, ashtu sikurse edhe fërshëllima e arbitrit”, shpjegon më tej regjisori. Kanë kaluar më shumë se 50 vjet që nga zhvillimi i ndeshjes Itali-Egjipt, më 24 janar të 1954-s, ndeshja e parë e futbollit e transmetuar në televizor në Itali me video dhe audio, drejtpërsëdrejti nga stadiumi. “Makineritë ndryshojnë çdo tre muaj, por mënyra e të treguarit të ndeshjes mbetet e njëjtë. Në shtëpi ndeshjet transmetohen ‘sikur ti vazhdon të qëndrosh në tribunën qendrore’, vendi më i mirë në stadium”, tregon më tej ai. “Kjo mënyrë paraqitjeje është e ngjashme me atë të platesë së teatrit, por nuk është më efikasja në transmetimin e informacioneve të një ndeshje, duke qenë se çdo gjë lexohet qartë, që nga hyrja drejt fushës, e deri në detajet e vendosjes së lojtarëve në pozicionet e tyre”. Sipas regjisorit, do të jepte më shumë informacione marrja e sinjalit “tenistik”, me dy telekamera të vendosura pas portave. Megjithatë sot gjithçka është e mundur, por duhet të modifikohet gjuha televizive me të cilën tashmë jemi mësuar.
Mënyra e të parit të ndeshjeveTashmë ky botëror i futbollit e ka të ndryshuar gjuhën e transmetimit: nuk ka më vetëm sinjal nga telekamerat klasike fikse. Por përdoren “kamerat Dolly”, mbajtëset e robotizuara, që janë derivate të kinemasë, të afta për t’u ngritur dhe për të lëvizur mbi binarë; ekrane me një krah gjigant dhe kokë të lëvizshme, e cila mund të marrë plane nga shumë këndvështrime; “Wescam”, telekamera që mund të rrotullohen 360 gradë, të montuara në helikopterë (janë shumë të përdorshme në çiklizëm), të komanduara nga një operator në kabinën e pilotit; “Super Slomo” (është shkurtimi në anglisht i “Super Slow Motion” në qartësinë më të lartë të figurës), i cili realizon një aksion të jashtëzakonshëm me një mijë fotogramë në sekondë, kundrejt sinjalit normal që përbëhet nga 25 fotogramë për 1 sekondë; si edhe “Ultra Slomo” (çmenduria e së cilës arrin deri në 250 mijë fotogramë në sekondë). Këto janë sisteme që i shohin të gjithë personat që kanë në shtëpitë e tyre aparaturat e transmetimit 3D, duke parë në qartësinë më të lartë të figurës çdo gjë që shfaqet në stadium. Por kjo nuk është e gjitha.
Përmasat e rejaDy teknologji, secila tepër e zhvilluar, duke pasur parasysh këtë aktivitet kaq të rëndësishëm botëror, kanë krijuar një risi të rëndësishme në pikëpamjet e transmetimit të ndeshjeve të një Kampionati Botëror, duke filluar me “Spidercam” dhe marrjen e sinjalit përmes teknologjisë 3D.
Merimanga në fushëImagjinoni një telekamerë, e cila lëviz lirshëm në çdo cep të fushës, madje disa centimetra larg barit të saj: këtë e bën “Spidercam”. E shpikur nga një shoqëri austriake, që prej vitit 2009, përdoret nga televizioni italian “Sky” për disa ndeshje të serisë A, si dhe në finalen e Kupës së Italisë, Inter-Roma më 5 maj 2010: në botëror kjo kamerë po lëshon një sinjal të jashtëzakonshëm për të gjitha platformat televizive. E lidhur me katër kavo në katër këndet e stadiumit, kjo kamerë lëviz me 30 km në orë mbi kokat e futbollistëve: mund të zbresë deri në 50 cm në fushë (FIFA ka vendosur një rregull që kamera nuk duhet të jetë më e ulët se 7 metra gjatë zhvillimit të lojës) dhe të ngrihet deri në lartësinë e tribunave të stadiumit. Sistemi i lëvizjes së kamerës është pothuajse perfekt dhe kabllot përreth mbajnë një sistem force tri herë nga 300 kg, si edhe bilancierë të fuqishëm, për një ekuilibrim perfekt të saj. Një kompjuter i veçantë përcakton metrat e bërë dhe tendosjen e kavove (që nuk i kalojnë 4 mm, duke i bërë pothuajse të padukshme në transmetimin televiziv). Një operator (pilot) kontrollon me kujdes lartësinë dhe pozicionimin e “Spidercam”, ndërkohë që një kameraman sheh me kujdes çdo plan të transmetuar prej saj. Përmes fibrave optike të vendosura në dy prej katër kavove, “Spidercam” lëshon sinjal me rezolucionin më të lartë të mundshëm të figurës. Rreziku për të rënë mbi fushë? “çdo kavo është në gjendje të mbajë deri 1300 kg: peshën e të gjithë strukturës + telekamerën që nuk i kalon 26 kg, dhe në rast lëvizjeje maksimale kur ajo mund të shkojë deri në 120 kg, futet në punë sistemi automatik i frenimit”, shpjegon një prej instaluesve të kamerave në stadium. “‘Spidercam’ ka një fuqi komunikimi të jashtëzakonshme: topi mund të ndiqet nga vija anësore ose fundore, ndërkohë që mund të shihet edhe pamja tjetër e fushës, e duke kaluar më pas në detaje në të gjitha drejtimet”.
Përmasa e tretëNëse në botërorin e vitit 2006 të gjithë njohën për herë të parë sistemin “High Definition”, në 2010-n bën debutimin televiziv sistemi 3D: 25 ndeshje po transmetohen nga 7 telekamera të veçanta, secila prej tyre është e përbërë nga 2 makineri marrje “Sony HDC-1500” në HD. Shtatë çiftet do të mbledhin sinjal në 2 dy drejtime të ndryshme, d.m.th. njëra për syrin e djathtë dhe tjetra për syrin e majtë: lëshimi i këtij sinjali në të njëjtën kohë, i lidhur me një sistem vizual (syze optike), krijojnë mundësinë e një sinjali në 3 dimensione, duke krijuar ndjesinë njësoj sikur të ishit në stadium. Ky sinjal nuk prodhohet për të gjithë televizionet e botës, por vetëm në Amerikë, Spanjë, Kore dhe Angli, ndërsa në shumë shtete të tjera europiane mund të shihet në salla të veçanta kinemaje.
Sinjalet e pamunduraPërveç sistemit 3D dhe “Spidercam”, amerikanët dhe anglezët do të kenë mundësinë të shijojnë edhe “Liberovision”-in, ekskluzive vetëm për ESPN dhe BBC. Një kompjuter transformon në kohë reale futbollistët në ‘avatarë’. Po ashtu mund t’i spostojë në kohë reale në një fushë virtuale, siç bën “Google Earth”, kur prodhon pamjet e ndryshme të Tokës (pra yjet e futbollit mund të luajnë edhe përpara pallatit tuaj). Përfundimi? Një ndeshje imagjinare, përrallore, pothuajse e padallueshme nga ajo e vërteta!
#