E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Universitetin e Kajros

Reportazh

“Uau! Këtu qenka bukur!”
Kjo ishte thirrja që i doli nga zemra Armeldës, një vajze të grupit të nëntëmbëdhjetë gazetarëve dhe njerëzve të medias shqiptare, të cilët kanë ardhur në një kurs trajnimi dyjavor në Fakultetin e Komunikimit të Universitetit të Kajros të Republikës Arabe të Egjiptit.
është i teti vit që grupe gazetarësh vijnë në Kajro, në kurs trajnimi dyjavor, në bazë të një marrëveshjeje midis Ministrisë së Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Arabe të Egjiptit. Shpenzimet, të gjitha, me udhëtim, me qëndrim dhe me trajnim, i përballon Ministria e Jashtme e Egjiptit.
Grupi është vendosur në hotel “Piramisa”, hotel me pesë yje, në qendër të Kajros. Nuk e dinim, se në mes të verës, në temperaturën jashtë 32 gradë, në hotel do të flinim me jorganë të lehtë. Ajri i kondicionuar dhe nata e freskët bën punën e vet. Por edhe jashtë, në mes të diellit, qyteti me 17 milionë banorë, është plot gjallëri. Na thanë, se ju shqiptarët jeni me këmbë të mbarë se na ulët temperaturën nga 41° në 32°. Njerëzit që na pritën, na kujtuan se fatsjellësi më i madh prej shqiptarëve për Egjiptin, është Muhamed Aliu, pashai otoman nga Zemblaku i Korçës, themeluesi i Egjiptit modern. Dëshmitë e shqiptarëve të tjerë, të ardhur këtyre anëve me Aleksandrin a Justinianin, do t’i gjenim më vonë në muzetë e Kajros.
Nga tarraca e hotel “Piramisa”, syri shikon Kajron e pafund, 150 km nga skaji në skaj. Qyteti i madh mesdhetar është në luftë shekullore me shkretëtirën përvëluese që e rrethon. Deri tani, duket se ka fituar qyteti prej punës së vet gjelbëruese dhe prej Nilit jetëdhënës. Ndonëse edhe shkretëtira bën punën e vet duke i hedhur mbi trup rërë gërryese me tonelata.
Grupi i gazetarëve, te njerëzit e Ministrisë së Jashtme të Egjiptit, si edhe te personeli i hotelit dhe i universitetit, ka emrin “Delegacioni nga Shqipëria”. Kudo ndiejmë se sytë e tyre, shprehin simpati. Veçanërisht shprehës dhe plot respekt për miqtë, janë sytë e studentëve të Fakultetit të Komunikimit. Ndoshta na duken ne kështu, nga se më tepër janë sy të bukura vajzash arabe, sepse në Fakultetin e Komunikimit me 3000 studentë, nëntëdhjetë për qind janë vajza.
Hapja e kursit u bë me një ceremoni zyrtare. Fjalën e hapjes e mbajti dekania e fakultetit, zonja Lejla Abdyl Mexhid, e cila tregoi për punën dyzetvjeçare të fakultetit që ajo drejton në përbërje të Universitetit të Kajros, i cili më 2007 festoi njëqindvjetorin e themelimit të vet. Gazetarët shqiptarë i përshëndeti edhe zonja ambasadore Sumeie Mahmud Saad, e cila në fjalën e saj vuri në dukje marrëdhëniet e miqësisë midis Republikës Arabe të Egjiptit dhe Republikës së Shqipërisë. Zonja ambasadore theksoi rëndësinë që Egjipti u jep marrëdhënieve me Shqipërinë, si edhe posaçërisht trajnimit në fushën e komunikimit si mjeti më i mirë për njohjen dhe shkëmbimin e përvojës reciproke. Në fjalën e saj, zonja Samie Ahmed Ali, profesoreshë e Fakultetit të Komunikimit dhe drejtuese e trajnimit, siguroi pjesëmarrësit për predispozicionin maksimal të trupit akademik të fakultetit për realizimin e programit të trajnimit si edhe për organizimin e ekskursioneve njohëse në kulturën dhe natyrën e Egjiptit, si në Aleksandri dhe në Sharm al Sheik.
Gazetarët shqiptarë, nga ana e tyre, falënderuan Ministrinë e Jashtme të Egjiptit për bashkëpunimin e frytshëm me Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë për organizimin e trajnimit për komunikimin mediatik mes vendeve mesdhetare, si edhe për pritjen e shkëlqyer. Ata shprehën mirënjohje të veçantë për punën e Ambasadës së Egjiptit në Shqipëri dhe në veçanti për punën dhe për dashurinë për Shqipërinë të punonjësve të ambasadës në Tiranë, të drejtuar nga ambasadore zonja Amina.
Vizita në Universitetin e Kajros është mbresëlënëse jo vetëm për bukurinë arkitektonike dhe madhështinë e ndërtimit, por edhe për vizitën që gazetarët shqiptarë bënë në vendin nga ku Presidenti Obama mbajti fjalimin e tij udhërrëfyes prej gjirit të botës arabe.
Në njëzet e pesë Fakultetet e Universitetit të Kajros, mes 200 000 studentëve të tij, në këto dy javë të fundit të vitit akademik 2010-2011, janë edhe nëntëmbëdhjetë gazetarë të ardhur nga Shqipëria. Puna e përbashkët me kolegët egjiptianë, në fushë të komunikimit mediatik, dëshmon rëndësinë që ka kjo disiplinë universitare në kulturën e bashkëjetesës jo vetëm brenda një vendi, por edhe në marrëdhëniet e tij me vende të tjera.
Egjipti dhe Shqipëria janë vende mesdhetare. Egjipti është vend i madh me 80 milionë banorë, Shqipëria është vend i vogël. Dikur Misiri ishte vend i ëndrrave të gjyshërve dhe prindërve tanë për të punuar dhe mësuar atje. Sot, ai është vend me dyert e universitetit të hapura për të gjithë ata njerëz, përfshirë edhe shqiptarët, që duan të studiojnë në disiplinat moderne, për t’u bërë qytetarë me mendje të lirë të një bote që shkon drejt progresit dhe bashkëjetesës në respekt me kulturat e gjithsecilit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›