E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundon gjyqi i “Bandës së Durrësit”, pretenca pas një jave

Krimet e Rënda rrëzuan dje disa nga provat shkresore të mbrojtjes, për t’i dhënë fund kështu shqyrtimit gjyqësor ndaj 16 të pandehurve

Tiranë Mes debatesh të shumta, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Gurali Brahimllari, ia doli dje t’i japë fund shqyrtimit gjyqësor të çështjes në ngarkim të 16 të pandehurve të akuzuar si pjesë e “Bandës së Durrësit”. Pas më shumë tre vjet e gjysmë proces gjyqësor dhe 180 seanca të zhvilluara, dje gjykata administroi provat e fundit të depozituara nga avokatët e të pandehurve, duke i hapur kështu rrugën pretencës së prokurorisë dhe vendimit përfundimtar. Seanca e djeshme gjyqësore në ngarkim të të akuzuarve për një sërë krimesh të rënda, nuk kaloi pa debat dhe akuza, pasi gjykata vendosi të mos pranojë një pjesë të provave shkresore të paraqitur nga avokatët mbrojtës. Sipas burimeve zyrtare pranë Gjykatës për Krime të Rënda, bëhet me dije se trupi gjykues vendosi të pranojë një pjesë të provave të mbrojtjes, ndërsa një sërë provash u rrëzuan. Për këto prova gjykata ishte shprehur më parë me vendim të ndërmjetëm, duke vendosur rrëzimin e tyre. Në përfundim të seancës, gjykata vendosi që seancën e ardhshme përfaqësuesi i akuzës të depozitojë në gjykatë pretencën ndaj të pandehurve, të cilët akuzohen për një sërë vrasjesh, të ndodhura në qytetin e Durrësit, të cilat dyshohet se janë kryer në kuadër të organizatës kriminale. Përfaqësuesit e akuzës kërkuan një javë kohë nga gjykata për të përfunduar konkluzionet përfundimtare. Gjithashtu, gjykata vuri në dijeni edhe avokatët mbrojtës, të cilët duhet të depozitojnë pas pretencës së prokurorisë konkluzionet e tyre për klientët që ata mbrojnë. Procesi gjyqësor ndaj Lulzim Berishës dhe 15 të akuzuarve si anëtarë të “Bandës së Durrësit” ka nisur në qershor të vitit 2007, kur prokuroria depozitoi në Gjykatë dosjen në ngarkim të tyre. Për rreth dy vjet, procesi gjyqësor ka qenë thuajse i bllokuar, pasi shumica e avokatëve mbrojtës kanë munguar vazhdimisht në seancat gjyqësore. Të pandehurit e Bandës së Durrësit akuzohen për një sërë vrasjesh të ndodhura në qytetin Bregdetar, të cilat, sipas prokurorisë, nisën pas konflikteve që pasuan shpërbërjen e grupit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›