Bala: Të gjithë një për ekipin, Rubio lideri i Tiranës
Kurrë nuk e mendoja se do të shënoja ndonjëherë tre gola në një ndeshje. Synoj Këpucën e artë, por edhe një fanellë kuqezi
Tripleta që realizoi ndaj Bylisit ishte e para që kur ka filluar të luajë në kategorinë superiore për sulmuesin 20-vjeçar Bekim Bala. Nga java në javë, këtë sezon ai po kthehet në liderin e sulmit të skuadrës 24 herë kampione, por Bekimit nuk i pëlqejnë gradat, sepse, siç e thotë edhe vetë, në fund të fundit ka bërë vetëm detyrën me golat që ka shënuar. Po funksionon shumë mirë edhe partneriteti me Morinën në sulm dhe kjo pa dyshim që po vihet re nga të gjithë.
Tashmë jemi një sulm i ri, por vërtet i frikshëm. Imagjinoni, po i shënojmë çdo kundërshtari dhe skuadra po funksionon në tërësi. Një vit më parë nuk shënoja, sepse ishte Pejiç në majë të sulmit, megjithatë, në atë kohë ishte trajner tjetër dhe më duhej të respektoja vendimin e tij.
Unë me Pejiçin luanim të dy dhe kishim të njëjtat karakteristika, kurse tashmë unë kam më shumë hapësirë në vijën e parë. Kam besimin e trajnerit dhe po mundohem tia shpërblej me golat e mi në kampionat dhe në kupë. Por lideri i vërtetë te Tirana është trajneri Rubio, i cili ka merita të mëdha që ne jemi këtu, – pohoi fillimisht sulmuesi shkodran, Bekim Bala.
Tripleta Tre golat gjatë 90-minutëshit të ndeshjes me ballshiotët do të mbahen mend gjatë nga unë, për faktin se nuk kisha arritur që të provoja emocione të tilla, por edhe i dhashë fitoren në fund Tiranës, duke kapur edhe vendin e parë në klasifikim. Por nuk ishte vetëm merita ime, për hir të së vërtetës më duhet që të them se edhe shokët e skuadrës më kanë mbështetur shumë. Madje me krosime nga krahët por edhe me asiste, më kanë shërbyer dhe si rrjedhojë unë kam patur mundësi që të godas portën ballshiote dhe të shënoj tre gola.
Objektivat Bala ka provuar që të luajë titullar te kombëtarja U-19 dhe Shpresat, ku ka spikatur edhe si golshënues. Por, tashmë ai kërkon që të bëhet pjesë edhe e ekipit përfaqësues. Bala e ka të qartë se të veshësh një fanellë kombëtareje është shumë e vështirë. Kam luajtur me përfaqësuesen U-19 dhe Shpresën.
Normalisht që tashmë do të synoj kombëtaren. E di që është shumë e vështirë, por do të punoj fort këtë sezon. Në radhë të parë dua që të realizoj dy objektivat e këtij sezoni, në radhë të parë të fitoj titullin kampion me Tiranën dhe në aspektin personal të dal golashënuesi më i mirë i kampionatit. Pastaj e ka radhën kombëtarja.
Transferta Tirana, të dielën, në orën 13:00,, do të luajë ndeshjen e e radhës të kampionatit dhe do të jetë mysafire në Fier, aty ku do të ndeshet me Apoloninë. Bala shpreson që ai dhe skuadra të mbajnë ritmin e javëve të kaluara. Gara sa vjen e bëhet më e vështirë, por ne do të synojmë që të mos e ndalim hapin.
Në Fier e dimë që na pret një ndeshje shumë e vështirë, por ne do të shkojmë për të fituar dhe për të mos e lëshuar vendin e parë. Uroj që të jetë një ndeshje korrekte, aq më tepër që përballë do të kemi një skuadër me tradita në futbollin shqiptar, në një stadium dhe tifozëri që vlen të respektohet, – tha në mbyllje të prononcimit të tij sulmuesi i bardhebluve, Bekim Bala.
Asnjë mungesë në transfertën fierake
Bardheblutë ndaj Apolonisë do ti keni të gjithë lojtarët. Trajneri Rubio ndihet i qetë para sfidës me Apoloninë, aq më tepër që edhe të dëmtuarit Dushku dhe Heples i ka lënë pushim dje në ndeshjen e kupës për mos të rrezikuar. Edhe kapiteni Elvis Sina, i cili nuk u aktivizua në përballjen me ballshiotët për shkak se kishte plotësuar numrin tre të kartonave të verdhë, do të jetë në dispozicion të spanjollit për sfidën e javës së shtatë.
Bardheblutë, nëntë ndeshje pa humbje
Tirana e drejtuar nga trajneri Rubio duket se po vendos rekord për sa u përket rezultateve pozitive. Kështu, me fitoren që kanë arritur dje në Laç kanë sigluar plot nëntë rezultate pozitive radhazi, në kampionat dhe kupë, çka nuk ka ndodhur vitet e fundit.
6 Gola ka shënuar deri më tani sulmuesi 20-vjeçar Bekim Bala. Pra, mesatarja i bie nga një gol për çdo ndeshje, kur kanë kaluar gjashtë javë
1 Herë ka realizuar tripletë në kampionat gjatë 90 minutave bomberi i bardhebluve, pikërisht javën që shkoi ndaj Bylisit
450 Minuta është aktivizuar deri më tani Bekimi në kampionat dhe ka munguar vetëm ndaj Flamurtarit për shkak se kishte dëmtuar hundën
