Flamurtarit i mjafton një gol ndaj Teutës rivale
Për vlonjatët sërish vendimtar ka qenë Hysa, duke i dhënë tri pikët e para në grup ekipit dhe duke u hakmarrë ndaj durrsakëve për kampionatin
Flamurtari Teuta 1-0
I ka mjaftuar, ashtu si ndaj Vllaznisë në kampionat, vetëm një fitore e ngushtë Flamurtarit, për të siguruar tri pikët e para në fazën në grupe për Kupën e Shqipërisë. Këtë radhë është sulmuesi Hysa ai që gjen golin për Flamurtarin, duke i dhënë një fitore, e cila duhet thënë se nuk është vënë në diskutim nga vlonjatët, edhe pse ka qenë rezultat i ngushtë. Miqtë nuk kanë goditur thuajse asnjëherë drejt portës së Spahos për të rrezikuar.
Trajneri i Flamurtarit ka hedhur në fushën e lojës të njëjtin formacion si edhe në kampionat pak ditë më parë, duke treguar se kërkonte me ngulm fitoren. Nga ana tjetër, Teuta, krahasuar me ndeshjen e kampionatit, ka hedhur në fushë një formacion me mungesa, të diktuara këto edhe nga dëmtimet.
Flamurtari e ka zhvendosur menjëherë lojën në gjysmëfushën e Teutës në kërkim të golit të parë, por deri në 30 minutat e para rastet janë të pakta, pavarësisht ngulmimit të lojtarëve vlonjatë. Flamurtari luan shumë nga krahët, duke kërkuar sulmuesit në zonë dhe me topa të gjatë, ndërsa në një moment, pikërisht në minutën e 32-të, Shtubina është shumë pranë portës, gjuan me kokë, por vetëm jashtë.
Progni dhe Lena provojnë më pas nga goditjet nga jashtë zone, ndërsa Veliu me goditje standarde kërkon të rrezikojë portën e Rizvanit. Teuta mbrohet mirë dhe kërkon kundërsulmin, por mungon kthjelltësia në drejtim të sulmuesve për të rrezikuar seriozisht. Minuta e 43-të sjell golin për Flamurtarin. Shtubina kalon mjaft bukur një lojtar të Teutës në krahun e djathtë, kroson në zonë, aty ku Hysa është i pambuluar dhe nuk e ka të vështirë të mposhtë portierin durrsak.
Trajneri Lika në pjesën e dytë kryen një zëvendësim, ku për ti dhënë më shumë frymëmarrje sulmit, hedh në fushë Mancakun. Por janë sërish vlonjatët ata që krijojnë raste, madje i shkojnë shumë pranë golit të dytë, kur Veliu ekzekuton mjeshtërisht një goditje dënimi në afërsi të zonës, por topi përplaset në shtyllë. Nika për Teutën merr kartonin e dytë të verdhë për simulim dhe durrsakët mbeten me 10 vetë.
Kështu që misioni i vlonjatëve për fitoren bëhet më i thjeshtë, aq më tepër që edhe një gol ishte shënuar. Megjithatë, Hysa dhe Lena kanë mundësi, me goditje brenda zonës, por në të parin portieri largon në korne, ndërsa gjuajtja e Lenës përfundon pak mbi tra. Përfundimisht, Flamurtari fiton 1-0, duke marrë tri pikët e para në grupin B, ndërsa Teuta mbetet e fundit me vetëm një pikë.
Thanë pas ndeshjes:
Edmond Lutaj, trajner i Flamurtarit: Ekipi përgjigjet mirë në fushën e lojës, krijon volum dhe raste. Dihej që ishte një ndeshje e rëndësishme dhe ne kemi fituar, pra kemi arritur objektivin, pavarësisht se me një gol. Gjithsesi, ajo që më kënaq është loja që zhvillon ekipi dhe kjo është e rëndësishme.
Pas atij takimi mjaft të mirë në kampionat, nuk ishte e lehtë të karikoje sërish futbollistët, por më duhet të them se jam mjaft i kënaqur. Rezultatet e arrituar sot në grupin tonë tregojnë se jemi në një pozicion të mirë, pasi kemi ende ndeshje përpara. Tani na duhet të mendojmë për kampionatin.
Hasan Lika, trajner i Flamurtarit: I uroj suksese Flamurtarit, pasi e ka merituar fitoren. Nuk kemi zhvilluar një ndeshje të mirë, por ndoshta për këtë ndikuan edhe mungesat që kemi për shkak të dëmtimeve. Megjithatë, nuk është një justifikim.
Flamurtari ka zhvilluar një ndeshje më të mirë dhe e meritoi fitoren. Situata në grup? Fakti që kemi humbur dhe duke parë rezultatin e takimit tjetër, mbetemi në vend të fundit dhe kjo tregon se rrezikojmë më shumë se ekipet e tjera për kualifikim. Por ka ndeshje të tjera dhe asgjë nuk është vendosur.
