E Shtunë, 31 Tetor 2026

Levi: Kush e meriton do luajë, të tjerët në stol

Çeku vazhdon me dorë të hekurt, teksa në 4 ndeshje deri tani ka ulur në stol shumë titullarë të Skënderbeut 

Unë dhe stafi im nuk nisemi as nga mosha e futbollistëve, nuk nisemi as nga emrat e tyre për ti futur në formacion. Ata që për ne e meritojnë, do të jenë në fushën e lojës, të tjerët pa diskutim që do të qëndrojnë në stol dhe kur të jenë gati le ta fitojnë vendin me djersë. Kështu e ka nisur prononcimin e djeshëm pas fitores ndaj Kastriotit, trajneri çek Stanislav Levi, që më tej do të pohonte:

Pa dyshim që hapi i parë i madh që bëmë ne ishte ai në Durrës të dielën që kaloi, kur zhvilluam një lojë vërtet të mirë. Ishte një hap ndryshe, por asgjë nuk vjen menjëherë dhe gjithçka do kohën e vet. Ne akoma nuk po punojmë si duhet. Edhe koha nuk na premton, pasi brenda pak ditësh kemi zhvilluar shumë takime, si për kupë, edhe për kampionat.

Sot (dje) në ndeshjen ndaj krutanëve nuk i lamë kundërshtarët që të na surprizonin, por unë kërkoj pa dyshim lojë më të shpejtë sa herë që e kemi ne topin, të jemi më agresivë dhe të shënojmë sa më shumë, këtë ua kam kërkuar edhe sulmuesve të ekipit. Po e deklaroj në këtë moment se ne jemi pretendentë për titullin kampion dhe në fund të fazës së parë keni për të parë që skuadra jo vetëm që do të jetë në tre vendet e para, por mund të jetë qysh pas kësaj faze në krye.

Na duhet që gradualisht të sjellim gjendjen fizike optimale për cdo lojtar. I pyetur në lidhje ndryshimet, Levi do të deklaronte: Ndryshimet në formacion kanë ardhur edhe për shkak dëmtimesh, por unë nuk dua tia di për moshën e lojatarëve dhe për emrat që kanë ata. Kush e meriton le të luajë, të tjerët le të qëndrojnë në stol.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›