E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bala vendimtar, i jep Tiranës një tjetër fitore in-extremis

Nga Altin Preçi

Për bardheblutë, mjafton Bala edhe në kupë, shkodranit i mjaftojnë katër minuta për ti dhënë fitoren skuadrës së tij ndaj Laçit

Laçi – Tirana 0-1

Laçi-Tirana, një ndeshje që pati raste të shpërdoruara në të dyja pjesët, por solli vetëm një gol në sekondat e fundit të shtesës, ku edhe një herë shkodrani Bala me formën e mirë që po kalon tregon se mbetet lider i Tiranës. Të dy ekipet e nisin vrullshëm lojën, madje krijojnë raste, madje laçjanët si zotër të shtëpisë rrezikojnë me Selimin, që nuk shkon dot te goli. Nga ana tjetër, bardheblutë janë të kujdesshëm në mbrojtje, ndërsa arma më e fortë është kundërsulmi, duke shpërthyer shumë mirë me anë të sulmuesve të shpejtë.

Shkëndijën e parë e dhanë kryeqytetasit me anë të mbrojtësit Dabulla, i cili, i ardhur në ndihmë të sulmit, kërceu mbi të gjithë, por nuk gjeti dot kuadratin e portës laçjane. Në minutën e 20-të të takimit Shazivari nga e majta e sulmit laçjan kroson te Dragiçeviç, që nuk arrin ta godasë topin me kokë përballë Likës. Pas këtij momenti vëndasit zgjohen, duke krijuar dhe disa raste të tjera.

Bardhezinjtë kanë dëshirën, por miqtë luajnë më të organizuar, duke u shfaqur disa herë rrezikshëm para zonës së Vashakut. Me kaq mbyllet pjesa e parë dhe skuadrat u drejtohen dhomave të zhveshjes me rrjetat e paprekura. Pjesa e dytë nxjerr në fushë një Laç më kërkues që tenton të shënojë me Vucajn. Selimi shërbeu mjaft mirë për mesfushorin, i cili godet nga larg, por pa rrezik për portierin Lika. Pas disa aksioneve të vendasve, janë miqtë të cilët vënë në provë portierin Vashaku.

Këtë herë është Gilman Lika, por ky nuk e gjen rrugën e rrjetës. Shkodrani lëshoi një silur me të majtën, duke e vënë në vështirësi portierin Vashaku, i cili e devijon topin në goditje këndi. Minutat kalojnë, loja sa vjen e bëhet më intriguese dhe goli kërkohet në të dy krahët. Kurbinasit hidhen të gjithë në sulm, duke e kërkuar me zor golin, por nuk e gjejnë. Selimi do të kishte dy raste mjaft flagrante, por për fat te keq goditjet e tij ndalen vetëm nga rrjeta e jashtme.

Trajneri Rubio do të hidhte në fushën e lojës Duron dhe Balën vetëm 5 minuta nga përfundimi. Do të ishte pikërisht ky i fundit asi nën mëngë i spanjollit që nuk do të falë aspak në hyrje të zonës. Duke përfituar edhe nga hapja e lojtarëve vendas, Bala në mes të zonës përballë Vashakut nuk mund të gabojë dhe fundi i ndeshjes duket me fat për sulmuesin shkodran, por edhe Tiranën, që ka marrë edhe kreun e grupit me gjashtë pikë të plota, pas fitoreve me Shkumbinin dhe Laçin.

Deklarojnë

Nevil Dede, trajner i Laçit: (Nuk është prononcuar, është larguar menjëherë pas ndeshjes)

Hulian Rubio Sançez, trajner i Tiranës: Zëvendësimet efikase, Laçi ekip simpatik
Luajtëm një pjesë të parë të mirë, që u pasua nga një pjesë e dytë akoma më e mirë dhe me ritëm nga ana e skuadrës sime. E qarkulluam shumë topin. Në pjesën e dytë na ndihmuan shumë edhe zëvendësimet që u bënë dhe rezultuan efikase, duke prodhuar edhe golin e dytë. U ruajtëm në këtë ndeshje kupe, pasi ne 18-19 lojtarë jemi gjithsej dhe nuk mund të rrezikojmë.

Në fushën e lojës kishim rreth 6 lojtarë të rinj, që bënë një paraqitje shumë të mirë. Gjithsesi, të gjitha ndeshjet janë shumë të rëndësishme për ne dhe duhet ti marrim takimet një nga një. E vlerësoj kundërshtarin, pasi ka një skuadër simpatike, por futbolli i tillë është, duhet pranuar edhe fitorja edhe humbja.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›