Hysa, i vetmi që shënon në sulmin vlonjat
Ka shënuar tre gola me peshë në kampionat dhe shënon edhe në kupë, duke i dhënë një fitore të çmuar ekipit
Sulmuesi Vilfor Hysa është sërish shënuesi dhe shpëtimtari i Flamurtarit, por tashmë në kupë. Sulmuesi kishtë arritur të gjente rrugën e rrjetës për fanellën kuqezi në ndeshjen e javës së tretë ndaj Kastriotit dhe dy gola ndaj Pogradecit. Tashmë shënon edhe për Kupën e Shqipërisë, duke u dhënë vlonjatëve edhe tri pikë shumë të rëndësishme për ecurinë e tyre në kompeticionin e dytë për nga rëndësia në vend.
Gjatë kësaj periudhe është folur shumë për golat e paktë të shënuar nga futbollistët e repartit të sulmit dhe deri më tani duket se vetëm Hysa mund të quhet lojtari që ka rritur jo vetëm të zhbllokohet, por edhe të shënojë gola me peshë. E kundërta ndodh me sulmuesin serb Mlladen Brkiç, lojtar të cilit edhe në ndeshjen e kupës ndaj Teutës i është dhënë sërish mundësia për të treguar vlerat e tij.
Por në krahasim me ndeshjen ndaj Vllaznisë, ku shumë pak u pa në fushën e lojës, Brkiç ndaj Teutës ka lëvizur më shumë në fushën e lojës, por sërish ka treguar mangësi në momentin kur duhet të realizojë në portat kundërshtare. Defekt ky që është vënë re edhe ndaj Teutës, ku rastet për sulmuesin serb nuk kanë munguar, por goli duket si diçka e pamundur për të.Të mbështetesh vetëm te Hysa dhe tek golat e mesfushorëve apo edhe të repartit mbrojtës, është shumë pak për Flamurtarin, që tashmë kërkon edhe golat e sulmuesve të tjerë.
Te Flamurtari presin pa dyshim edhe momentin e Brkiçit, ndërkohë që vetë Lutaj ka besim edhe te sulmuesit e tjerë, ku Idrizi ka arritur të gjejë hapësirë në pjesën e dytë në të dy takimet e fundit, ndërsa shumë shpejt duket edhe te Shehaj mund të besohet më shumë. Pra, për Flamurtarin tashmë rëndësi, veç lojës së mirë, duket se kanë rëndësi edhe golat, ku mbi të gjitha pritet shënimi i tyre nga sulmuesit.
Ska pushim, sot sërish stërvitje
Flamurtari do të jetë sërish sot në stërvitje. Komunikimi futbollistëve u ka ardhur menjëherë pas përfundimit të takimit me Teutën, ndërsa është saktësuar se në stërvitje do të jenë të gjithë. Pra, asnjë ditë pushim, ku në prag është takimi me Bylisin, një ndeshje të cilën tashmë te Flamurtari e quajnë shumë të rëndësishme për ecurinë në kampionat.
Lutaj: Mu bë qejfi për tifozët
Pavarësisht se luhej një ndeshje kupe, ajo që ka sjellë më shumë entuziazëm te trajneri i Flamurtarit, Edmond Lutaj, ka qenë prania e sportdashësve në shkallët e stadiumit. Kam mbetur me të vërtetë i kënaqur kur kam parë tifozët e shumtë në numër, pavarësisht se ishte një ndeshje për kupë dhe luhej në mesjavë. Ndaj kjo fitore u takon atyre, ka thënë Lutaj.
