Një thes me gola në Peqin, por fiton Apolonia
Peqinasit nuk janë angazhuar për kupë, ndërsa kanë përfituar fierakët, që kthejnë moralin në ekip pas kësaj fitoreje
Shkumbini Apolonia 34
Plot shtatë gola në Peqin, por në fund të fituar kanë dalë miqtë, që po vijojnë me oshilacione, duke marrë rezultate surprizë, qoftë për mirë (teksa fitojnë jashtë), qoftë për keq (kur humbasin në shtëpinë e tyre). Takimi i mesjavës përballë ekipit të Apolonisë ka qenë një hakmarrje e miqve, të cilët pësuan një humbje në kampionat. Ajo që duhet theksuar ka qenë fakti që tashmë fusha peqinase po tregon se ka një prodhimtari të madhe golash, pasi në katër takimet e këtij viti, janë shënuar plot 24 gola.
Sfida ndaj Apolonisë ka qenë një takim i qetë dhe nën nivelin mesatar, ku përveç rasteve të golave, nuk ka pasur asgjë për tu shënuar. Që në minutat e para miqtë kanë gjetur rrugën e rrjetës në një afat kohor prej 5 minutash, me të njëjtin autor, Ribajn, në minutat 6-10.
Dy golave të kundërshtarit u është përgjigjur një eurogol i Isajt, në ekzekutimin e një faulli në minutën e 18-të. Por fundi i pjesës së parë ka një tjetër gol të Ribajt. Pjesa e dytë nis sërish me një gol të miqve me autor të sapofuturin Pasha, ndërsa Lluca dhe Magani vetëm shkurtojnë diferencën, por nuk shmangin dot humbjen e dytë në kupë, pas asaj me Tiranën javën e kaluar.
Thanë pas ndeshjes:
Kristaq Mile, trajner i Shkumbinit: Ekipi nuk mund ti përballojë dot të dy kompeticionet, ndaj edhe sfida me Apoloninë ka qenë rrjedhojë e kësaj logjike. Kemi aktivizuar djem që kanë pasur më pak shanse për tu aktivizuar, për tu dhënë hapësira të gjithëve. Synimi ynë është kampionati, ndaj na duhet të vazhdojmë përgatitjet tona për sfidën e radhës kundër Laçit në fundjavë.
Dhimitër Papuçiu, trajner i Apolonisë: Nuk u prononcua për shtyp pas ndeshjes, duke u larguar menjëherë nga stadiumi i Peqinit.
