Skënderbeu ia del në duelin e parë me Kastriotin
Korçarët bëjnë stërvitje ndaj krutanëve, të cilët në 90 minuta nuk zbritën asnjëherë te Shehi. Tani pritet dueli në kampionat
Skënderbeu Kastrioti 2-0
Korçarët kanë fituar me rezultatin e pastër 2-0 në ndeshjen e djeshme për Kupën e Shqipërisë në grupin C, një ndeshje që duhet thënë se u ka dhënë tri pikë të tjera korçarëve, duke i ngjitur në krye të këtij grupi me 6 pikë të plota. Ajo që ra në sy në këtë 90-minutësh të djeshëm ishte fakti që të dyja skuadrat kishin shumë mungesa në formacionin e tyre bazë, ndërkohë që krutanët dje kanë thyer edhe rekordin më negativ, në një ndeshje të zhvilluar në stadiumin Skënderbeu.
Asnjëherë të vetme, madje portieri Orges Shehi nuk ka arritur ta prekë topin qoftë me dorë apo me këmbë gjatë gjithë takimit dhe ka qenë rasti më i rrallë në këtë stadium, që një skuadër nuk shkon një herë të vetme në portë, qoftë edhe për të rrezikuar. Krutanët dukeshin të dorëzuar përpara fillimit të ndeshjes së djeshme dhe ajo që edhe drejtuesit e kanë theksuar është fakti që Kastrioti nuk e kishte mendjen fare te kjo ndeshje, por tek ajo e së hënës së ardhshme, teksa do të luajnë përsëri në Korçë, por për kampionat.
Sërish shumë ndryshime për Skënderbeun e Levit dje në ndeshjen e kupës, ndërkohë që Xhafaj dje e ka ndjekur ndeshjen nga tribuna qendrore e stadiumit Skënderbeu, pasi vijon të vuajë dëmtimin, dëmtim i cili pritet që të kalojë deri në fundjavë. Skënderbeu që për javë të tëra ka vuajtur për gol, dje ka shënuar dy herë dhe njëri ka qenë më i veçantë, pasi është shënuar nga 19-vjeçari Artnant Tahirllari, futbollist që është quajtur zbulimi i Levit. Ky është goli i parë i tij në karrierë si futbollist bardhekuq.
Ka pasur akoma një numër të pakët tifozësh, të cilët nuk e kalonin shifrën 1 mijë në shkallët e stadiumit, kjo edhe për atë se ishte thjesht një ndeshje kupe. Skënderbeu zbriti në fushën e lojës sërish me ndryshime në formacion, ndërkohë që nga ana tjetër krutanët kishin ruajtur disa lojtarë. Kur u duk se pjesa e parë do të mbyllej me rrjeta të paprekura, vjen minuta e 42-të, ku Ribeiro fut një korridor të bukur për të riun Tahirllari, që paksa diagonal nga e djathta, nuk e ka të vështirë të shënojë golin e avantazhit për kampionët.
Duhet të vinte minuta e 70-të që Tahirllari për korçarët për pak sa nuk shënon mes tre mbrojtësave, por është Ognjatoviç që largon topin për në këndore. 8 minuta para fundit Allmuça provon nga larg, por gjuajtja e tij përfundon mbi traversën mike, për të ardhur te minuta e 86-të. Allmuça këtë herë jep një asist për Muzakën, që i vetëm përballë portierit, e kalon edhe këtë të fundit dhe shënon edhe golin e dytë të ndeshjes. Përfundimisht, 2-0 për Skënderbeun, në një ndeshje të mërzitshme të luajtur dje në Korçë.
Thanë pas ndeshjes:
Stanislav Levi, trajner i Skënderbeut: Një fitore si kjo e sotmja të kënaq, ndërkohë që ju kujtoj se miqtë nga Kruja nuk na rrezikuan asnjëherë. Ndoshta krutanët nuk kishin si objektiv ndeshjen e sotme, por ne, edhe pse me shumë ndryshime, madje lamë në stol edhe titullarë, luajtëm shumë mirë dhe e merituam plotësisht këtë tripikësh.
Me këtë fitore ne jemi ngjitur në kuotën e 6 pikëve dhe për kupë thuajse jemi pranë kualifikimit, ndërkohë që të gjithë vëmendjen e kam te kampionati. Këtë pashë edhe sot (dje), teksa provuam disa lojtarë në pozicione të ndryshme, por duhet të jemi më agresivë dhe të bëjmë më shumë presing në portat kundërshtare.
Ramazan Ndreu, trajner i Kastriotit: Që të tregohem realist, sot (dje) e kisha menduar humbjen, pasi në këtë ndeshje nuk kishim shumë synime, teksa aktivizuam edhe shumë futbollistë të rinj. Synimi ynë për momentin është ndeshja e së hënës, ndërkohë që Skënderbeun ne do ta mundim kur të zhvillojmë ndeshjen e kthimit në Krujë.
Skënderbeu dhe Kastrioti janë dy skuadrat që do të kualifikohen nga grupi C, ndërkohë që kemi edhe katër ndeshje përpara deri në fundin e ndeshjeve të grupit. Ditën e hënë do të shikoni edhe Kastriotin e vërtetë.
