Vllaznia bën prapa në kupë me Bylisin, por srrezikon
Shkodranët nuk kanë shënuar në takimin e djeshëm, por gjithsesi mbajnë kreun e klasifikimit në grupin D, duke mos rrezikuar
Vllaznia Bylis 0-0
Një barazim 0-0 dhe një lojë zhgënjyese kanë dhuruar futbollistët e Vllaznisë në ndeshjen kundër Bylisit në Shkodër, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë, duke konfirmuar edhe një herë tjetër momentin jo të mirë që po kalojnë. Me një formacion ku ka pasur pak lëvizje në ndryshim nga ndeshjet e kaluara, shkodranët nuk kanë arritur të tregojnë vlerat e tyre.
Në pankinë ka qenë këtë herë Elvis Plori, i emëruar nga drejtuesit e klubit si trajner provizor deri në momentin e gjetjes së trajnerit tjetër. Plori është munduar të ndryshojë diçka në skemën taktike të lojës, duke luajtur këtë herë me 4-3-3, por ky ndryshim nuk ka sjellë asgjë në fushë. Erkoçeviç është rreshtuar në vijën e parë përkrah Sukajt dhe Vajushit, por të tre këta sulmues nuk janë furnizuar si duhet me topa dhe prandaj kanë munguar rastet.
Në 45 minutat e para kemi vetëm 3 raste për Vllazninë, kur Sukaj në minutën e 13-të gjuan me kokë dhe pret Frashëri, pastaj është Vajushi që ka dy raste në minutat 25-të dhe 28-të, por pa arritur dot të shënojë. Nga ana e tyre, miqtë kanë pasur një mundësi të mirë në minutën e 40-të, kur Kelmendi nga e djathta bën gjithçka mirë, kroson në zonë për Abazajn, që në një pozicion të favorshëm, gjuan mbi traversë.
Në të dytën asgjë nuk ndryshon për Vllazninë, e cila madje e ul rendimentin e lojës së saj, ndërkohë që miqtë, pas aktivizimit edhe të Xhafës e Dimos, e rritin presionin. Rastet më të pastra për shënim i kanë patur ballshiotët me anë të Abazajt dhe brazilianit Uashington.
Ndeshja nuk ka dhuruar asgjë të bukur për Vllazninë, e cila ka dëshpëruar edhe ata pak tifozë që ishin të pranishëm në shkallët e stadiumit. Kriza e kësaj skuadre duket se ka hyrë thellë dhe do duhet një dorë shumë e fortë në pankinë për ta nxjerrë nga kjo situatë.
Thanë pas ndeshjes:
Elvis Plori, trajner i Vllaznisë: Edhe ky barazim është pjesë e krizës që po kalon Vllaznia. Skuadra ka pësuar një goditje psikologjike dhe kjo po vërehet edhe në fushë, u shoqërua edhe me largimin e trajnerit. Megjithatë, edhe me këtë barazim jemi brenda objektivave në kupë. Ndeshja e sotme nuk ishte në lartësinë e duhur, futbollistët lëvizën shumë pak në fushë dhe na munguan rastet. Vllazninë nuk mund ta nxjerrë nga kriza një trajner i vetëm, qofsha edhe unë, nëse më besohet kjo detyrë. Atë e nxjerrin nga kriza vetë lojtarët dhe unë kam besim se ndaj Pogradecit do të rikthehemi te fitorja.
Naxhi Shensoj, trajner i Bylisit: Ka qenë një ndeshje për të fituar besimin te skuadra, pasi vinim pas humbjeve në kampionat. E pashë të qartë se Vllaznia ishte në krizë, madje kjo gjë shihet edhe prej aeroplanit dhe jo më në fushën e lojës. Nuk jam i kënaqur me rezultatin, sepse duhej të fitonim ngaqë ne i patëm rastet më të pastra. Është herët për të folur për kalimin në turin tjetër, por besoj se ne dhe Vllaznia jemi më pranë kësaj dhe objektivi është për të shkuar sa më larg në kampionat.
