Luftëtari fiton sfidën e formacioneve të dyta me Besën
Gjirokastritët fitojnë minimalisht me golin e Shehajt dhe marrin fitoren e parë në kupë, edhe pse nuk e kanë objektiv
Luftëtari Besa 1-0
Me golin e Shehajt, Luftëtari fitoi dje ndaj Besës në një ndeshje që luhej në fushë, por më shumë mendohej për sfidat e kampionatit nga të dyja palët, pasi kupa nuk është objektiv i tyre. Nëse pjesa e parë do të shndrrohej në pikturë, do të dilte një e tillë në vaj, që titullohet natyrë e qetë . Mund të përmendim faktin se Kermezo, në minutën e 12-të, në një pozicion të shkëlqyer, gjuajti me kokë dhe e çoi topin në duart e Gumës. Ka edhe disa gjuajtje të vendësve, por që e çonin topin në stratosferë.
Pjetrani ka gjuajtur fort dhe, pas grushtimit të Gumës, Kermezo e ka kaluar topi mbi traversë. Më pas, portieri Guma ka grushtuar edhe një bombë të Brahos. Pas 33 minutash lojë, Duro i Besës është dëmtuar edhe është zëvendësuar nga Balliu. Është anuluar edhe një gol i Brahos për pozicion jashtë loje, ndërkohë që kavajasit e kanë lënë Selimajn të bëjë banjo dielli.
Kjo pjesë loje është ndjekur nga kryebashkiaku Flamur Bime, drejtori ekzekutiv Qazim Muho dhe ish-futbollisti dhe ish-trajneri i Luftëtarit, shkodrani Edi Martini, i cili pjesën e dytë u zëvendësua nga kryebashkiaku i Sarandës, Stefan Çipa, si për të afirmuar miqësinë tradicionale, Pjesa e dytë ka nisur me Kermezon duke festuar një rast tjetër të humbur, por, më së fundi ka realizuar Shehaj dhe në vazhdim kanë humbur raste Braho dhe vetë Shehaj, që provoi me një roveshiatë.
Thanë pas ndeshjes:
Mustafa Hysi, trajner i Luftëtarit: E arritëm qëllimin në këtë ndeshje, duke fituar edhe me lojtarët e stolit, por mendjen e kemi të përqendruar në kampionat.
Ilir Berati, trajner i Besës: Testuam grupin e dytë të lojtarëve tanë dhe them se po fitojmë për të ardhmen Kollçakun, Perjan dhe Bllakën. Në Gjirokastër luhet futboll, sepse ka tradita dhe plotësohen gjithë parametrat. Përfitoj nga rasti për të thënë se Luftëtari, Elbasani, Lushnja dhe Besa i takojnë superligës, ndaj duhet të kthehen sa më shpejt në të. Ne nuk kemi objektiv fitimin e kupës, por kthimin në superiore.
