E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balada e Pjetër Gacit, për herë të parë në Itali

Me rastin e festave kombëtare, më datë 28 nëntor, në konservatorin "Giuseppe Verdi" në Torino të Italisë, do të zhvillohet një koncert për piano e violinë me artisten shqiptare Suela Mullaj dhe italianin Massimo Palumbo. Titulluar "Balada e përtejdetit dhe të mëdhenjtë e Europës", programi i mbrëmjes parashikon muzikë nga kompozitorët e mëdhenj europianë Ludwig Van Beethoven, Joseph-Maurice Ravel, Ottorino Respighi, dhe prezantimin për herë të parë në Torino të Baladës së autorit shqiptar, Pjetër Gaci. Violinistja shqiptare, Suela Mullaj, konsiderohet një nga talentet më të mëdha të ditëve tona, e cila iu imponua vëmendjes ndërkombëtare me virtuizmin e saj. Ajo u transferua që e vogël në Itali, me ftesë të dirigjentit të madh, Maestro Abbado, ku vijoi studimet muzikore në konservatorin "Giuseppe Verdi" në Milano, duke u diplomuar me nota maksimale dhe lavdërim. Ka fituar shumë konkurse ndërkombëtare, ndër të cilët çmimin e veçantë në konkursin "Rodolfo Lipizer" (1991) dhe në konkursin "Michelangelo Abbado" (1995). Ajo ka interpretuar koncertet më të mëdha për violinë dhe orkestër. Ndërkaq, dirigjenti, pianisti dhe kompozitori Massimo Palumbo është diplomuar në piano

në konservatorin "Giuseppe Verdi". Nga kritikët dhe publiku konsiderohet si një nga pianistët dhe dirigjentët më të rëndësishëm të brezit së tij, me një repertor të madh si dirigjent, duke filluar nga muzika baroke e deri tek ajo bashkëkohore, me një vëmendje të veçantë kushtuar operës italiane dhe Beethovenit. Ngjarja muzikore organizohet në kuadër të projektit "Festivali i Kulturës Shqiptare", i realizuar me mbështetjen e rajonit të Piemontit, që synon promovimin dhe vlerësimin e pasurisë artistike, kulturore dhe letrare të popullit shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›