E Diel, 1 Nëntor 2026

Dalip Kryeziu, 42 vepra në Tiranë

Çelet sot në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë ekspozita vetjake e piktorit nga Kosova, Dalip Kryeziu. Në këtë ekspozitë, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 17 dhjetor, artisti i cili jeton prej disa vitesh në Frankfurt të Gjermanisë, do të paraqitet me pjesë nga ciklet e tij piktorike, të tilla si "Kokat", që përbëhet prej 17 punimeve që sjellin imazhe nga vendlindja, "Ditari i humbur" me tetë vepra, "Temë fshati" "Tapeti i fshatit" të dyja me katër vepra, "Dashuria" me një vepër, si dhe tetë punime në skulpturë. Piktori Dalip Kryeziu është autodidakt, por ka qenë nxënës në atelienë e piktorit të njohur shqiptar, akademikut Muslim Mulliqi. Në vitin 1979 ai punoi si piktor i portreteve realiste në Kroaci, Itali, Austri. Në vitet 1987-1989 i largohet realizmit dhe i kushtohet artit abstrakt. I mbështetur nga artisti Hugo Wulz, ai hap ekspozitën e parë në galerinë "Rosegg", në një qytet të vogël austriak, Villacha, afër kufirit me Italinë. Largohet nga Austria më 2004 dhe vendoset në Frankfurt, në Gjermani, ku jeton dhe krijon edhe aktualisht.

Kryeziu ka një karrierë të rëndësishme dhe të suksesshme si një artist bashkëkohor, në Gjermani dhe më gjerë. Ai, duke filluar nga ekspozita e parë në Galerinë Rosegg, i ngjiti shkallët e karrierës artistike duke qenë i pranishëm në shumë ekspozita kolektive dhe vetjake. Ka qenë pjesë e ekspozitave të rëndësishme të artit në vende të ndryshme të botës. Veprat e piktorit Dalip Kryeziu janë pjesë e shumë koleksioneve private dhe e disa muzeve si: Muzeu i Artit Modern Salsburg (Austri), në Muzeun e Hessen-it të sipërm (Gjermani), në Gieben dhe në Deutche Bank, Allianz, Suisse, "Guggenheim", Nju Jork etj. Në ekspozitën e çelur për herë të parë në Galerinë Kombëtare të Artit, Kryeziu prezantohet me një koleksion prej 42 punimesh në pikturë dhe skulpturë të viteve 2005-2009.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›