Bale e Thiago Silva, objektivat kryesorë të Barçës

E përditshmja spanjolle, Marca shkruan se Sandro Rosell me shokë kanë bërë gati 50 milionë euro, për t'i shpenzuar gjatë verës. Ojektiv primar i tyre është mbrojtësi i Milanit, Thiago Silvaa. Përpos tij, kampioni i Evropës e kërkon edhe mbrojtësin e majtë të Tottenhamit, Gareth Bale.
Mirëpo, trajneri Pep Guardiola llogarit më shumë në brazilianin, sepse Eric Abidal e ka vazhduar kontratën dhe uellsiani ndoshta do të ishte i tepërt në krahun e majtë të mbrojtjes. Barça tashmë dihet se është e interesuar për përfaqësuesin brazilian, i cili ka shfaqur paraqitje të shkëlqyeshme me Rossonerët në dy sezonet e fundit.
Sipas mediave madrilene, Milani nuk do të hiqte dorë nga shtylla e mbrojtjes së tij për një shifër më të vogël se 30 milionë euro. Po aq mund të kushtojë edhe makineria e palodhshme e Tottenhamit, Gareth Bale. Silva shihet si zëvendësues ideal i Carles Puyol, i cili i ka kaluar të tridhjetat.