Opozita, ankesa për Podesta-n në qarqet e qeverisë së SHBA-së
Tentativat
Ka nisur një fushatë antilobim në Departamentin e Drejtësisë dhe ambasadat perëndimore
Mazhoranca - Ndërkaq, mësohet se, nga ana e mazhorancës ka pasur takime me ambasadorët e rëndësishëm, për të bindur për domosdoshmërinë e zëvendësimit të KQZ-së
Fatjona Mejdini
Opozita e bashkuar ka pasur fundjavën që lamë pas një axhendë të koordinuar dhe të ngarkuar me diplomatë për të bërë të mundur ndaljen e mazhorancës nga qëllimi i zëvendësimit të një anëtari të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim mësohet se kanë nisur denoncimin pranë autoriteteve të rëndësishme amerikane për kompaninë e lobimit Podesta, e cila ka marrë një rol flamurtar në lidhje me nevojën, sipas tyre, të balancimit të KQZ-së. Argumentet kryesore që po përdoren nga përfaqësuesit e dy partive politike të interesuara për mosndryshimin aktual të përbërjes së KQZ-së, lidhen me kapërcimin e kompetencave të kësaj kompanie amerikane për sa i përket kontratës që ka me qeverinë shqiptare. Sipas përfaqësuesve të opozitës, në shkelje të plotë të etikës kjo kompani po punon për interesat elektorale të PD-së. Por, nga ana tjetër, burimet bëjnë të ditur se edhe PD-ja po bën përpjekjet e saj pranë përfaqësive diplomatike në Tiranë për të argumentuar lëvizjen që kërkojnë të bëjnë në KQZ. Kështu, Kryeministri Berisha ia ka deleguar këtë detyrë jo pak, por katër përfaqësuesve të PD-së, duke nisur nga nënkryetarja njëkohësisht Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, zëdhënësja e qeverisë dhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, dhe shefi i kabinetit të Kryeministrit Berisha, Oerd Bylykbashi. Fuqia lobuese e palëve pritet të zbulohet paraditen e sotme në sallën e Parlamentit dhe do të konkludojë me miratimin ose jo të zëvendësimit të anëtarit të LSI-së në KQZ.
Opozita
Dy partitë e opozitës, PS-ja dhe LSI-ja, janë duke kryer një fushatë denoncuese ndaj kompanisë amerikane të lobimit, Podesta, e cila është paguar me shumën rreth 720 mijë dollarë për të bërë të mundur promovimin e Shqipërisë në SHBA. Por duket se Podesta nuk i ka qëndruar besnike kësaj kontrate dhe rasti i KQZ-së tregoi se kompania është përfshirë në teknikalitete të çështjeve zgjedhore, duke kaluar kështu kompetencat për sa i përket qëllimit të lidhjes së kontratës. Kështu, përfaqësues të këtyre partive kanë marrë kontakte me autoritetet amerikane për të bërë të mundur denoncimin e kapërcimit të kompetencave të Podesta-s, për llogari të partisë që drejton dhe qeverinë. Në një intervistë televizive, sekretari ndërkombëtar i LSI-së, Ralf Gjoni, theksoi se ky grup lobimi është në konflikt të qartë interesi përballë klientit të tij, që është Republika e Shqipërisë. Përtej konfliktit të interesit, mendoj se është edhe një shkelje e rëndë juridike, duke njohur Kodin e Etikës, por edhe ligjin e rregullimit të industrisë së lobimit në SHBA. Çdo kompani lobimi është e detyruar nga ligji që të japë llogari përballë Ministrisë së Drejtësisë Amerikane për të gjitha aktivitetet dhe veçanërisht kur bëhet fjalë për aktivitete përfaqësimi të qeverive të huaja, theksoi Gjoni, duke evidentuar dhe përgjegjësit që ka kjo kompani lobimi.
Mazhoranca
Nga ana tjetër, mazhoranca gjithashtu është tepër e angazhuar në lobim pranë përfaqësive diplomatike në Tiranë, në kuadër të lëvizjes së saj për shkarkimin e anëtarit të LSI-së në KQZ. Kështu, një grup prej katër përfaqësuesish të kësaj force politike, duke nisur nga Topalli, Bregu, Bumçi dhe Bylykbashi po përpiqen të marrin miratimin e ndërkombëtarëve të akredituar në Tiranë përsa i përket kësaj lëvizje në KQZ. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e SHBA-së dhe KE-së janë treguar tepër të prerë në qëndrimin e tyre, se KQZ-ja është një organ apartiak dhe ndërhyrjet në të nuk do të ishin të rekomanduara.
Opozita, ankesa për Podesta-n në qarqet e qeverisë së SHBA-së burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email