Edi Rama shpall platformën e bashkimit politik me Kosovën
Hapat
Programi - Rama ka zgjedhur Prishtinën për të shpallur programin politik për rajonin dhe bashkëpunimin me faktorin shqiptar në treva
Statusi - Kreu i PS-së theksoi se do të ketë bashkim doganor, arsimor dhe do të firmoset një traktat bashkëpunimi me qeverinë e Kosovës
Nacionalizmi - Rama ka theksuar se bashkimi nuk mund të kryhet duke u kthyer te nacionalizmi i vjetër, por duke bashkëpunuar me aleatët SHBA e BE
BE - Rama ka kërkuar nga Bashkimi Europian që ti hapë rrugë Kosovës në çështjen e liberalizimit të vizave si me vendet e tjera
Kreu i PS në Prishtinë. Lëvizja Vetëvendosje bojkoton takimin
Lideri i opozitës shqiptare, Edi Rama, nga Prishtina ka prezantuar dje programin qeveritar për rolin e Shqipërisë në rajon dhe kryesisht në marrëdhëniet me Kosovën dhe trevat shqiptare. Rama, ka shpallur dje nga Kosova se do të ketë një status të ri të Kosovës në marrëdhëniet me Shqipërinë, për të formuar një trung të përbashkët dhe treg të përbashkët mbarëshqiptar. Kosova do fitojë status të ri, do jetë parter strategjik në politikën e jashtme rajonale të Shqipërisë. Ne do punojmë që në ditën e parë të qeverisjes për të nënshkruar traktatin e bashkëpunimit, fqinjësisë dhe mirëkuptimit me Kosovën. Do vendosim për sistemin e unifikuar arsimor. Duhet të bëjmë bashkimin doganor me Kosovën. Duke bashkuar doganat ne do të rrisim hapësirën e lirisë për biznesin në të dyja anët e kufirit. Nuk duhet të ketë konkurrencë të garantuar dhe të pagarantuar, por një konkurrencë të biznesit në të gjithë hapësirën, kufiri ku do kalojnë mallrat dhe prodhimet do jetë i papërfillshëm, për këtë sna pengon askush, përveç instrumenteve të vjetra, deklaroi Rama, dje në Prishtinë. Kreu i PS-së, ka folur edhe për atë pjesë të Kosovës që e konsideron PS-në si jo adekuate dhe ka simpati për Kryeministrin Berisha, duke deklaruar se Berisha ka qenë ai që paragjykoi luftëtarët e Kosovës dhe se Kryeministri i PS-së, Pandeli Majko, inicioi rrugën e Kombit. Kreu i PS-së deklaroi se Shqipëria europiane ku ai synon të çojë vendin kundërshton nacionalizimin e vjetër, i cili çon te destabiliteti në rajon. Sipas Ramës, në esencë bashkimi i Shqipërisë e Kosovës ka ndodhur, po ta shohësh në kontekstin e Europës. Shqipëria nuk mund të predikojë fantazmën e vjetër të nacionalizimit. Shqipëria është faktor stabiliteti në rajon. Pikërisht se pati politikë të jashtme në harmoni me BE dhe SHBA gjithnjë në mbrojte të Kosovës, por kurrë e nxituar në sulm ndaj Serbisë, çështja nuk u pa si nacionaliste, si e tillë sdo ishte zgjidhur kurrë dhe sdo kishte marrë mbështetjen e duhur. Ne refuzojmë sot retorikën e vjetër nacionaliste që ka përfshirë qeverinë shqiptare, që tenton të mbulojë dështimet e brendshme duke u shfaqur si kërcënim i stabilitetit në rajon. Sot, Shqipëria e Kosova po ti shohësh me sytë e së ardhmes do të thotë të shohësh që në esencë bashkimi ka ndodhur. Bashkimi në Europë do të thotë që sot të kemi sytë për të parë ndryshe të gjitha fushat e jetës sonë të përbashkët, ne besojmë te Shqipëria europiane, tha Rama më tej. Kreu i PS-së, theksoi se procesi i integrimit të Shqipërisë, nuk duhet parë si i ndarë. Pas 23 qershorit tha ai, kjo është një kauzë e përbashkët. Ne duam të integrohemi, duam të mbështesim Kosovën gjithashtu në këtë rrugë, për liberalizimin e vizave dhe për 5 njohjet e mbetura pezull. Kosovarët nuk mund dhe nuk duhet të paguajnë çmimin e azilkërkuesve serbë e maqedonas, nuk meritojnë të qëndrojnë të izoluar nga bota, Europa nuk duhet tua pengojë këtë të drejtë që e gëzonin gjeneratat e vjetra. Dyert që ia hapi Serbisë nuk duhet tia mbyllë Kosovës, tha Rama më tej.
Vetëvendosje
Edhe pse ka pasur një ftesë për të marrë pjesë në takimin e djeshëm, lëvizja Vetëvendosje ka braktisur takimin e Ramës. Në një deklaratë për shtyp, forca politike që drejtohet nga Albin Kurti, theksoi se arsyet e mospjesëmarrjes janë: protagonizmi ndaj personit dhe jo ndaj idesë, pjesëmarrja e Kryeministrit e Kosovës, Hashim Thaçi, por edhe koalicioni me LSI-në, të cilin Vetëvendosja nuk e konsideron të drejtë. Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikimi publik të kohës, ka bërë të ditur qëndrimin e saj për çka ndodhi në protestën e 21 janarit 2011 në Tiranë, pas vrasjes së katër protestuesve. Asokohe theksonim, siç theksojmë ende edhe sot se në institucionet e shtetit shqiptar zakonisht i shohim partitë pa popull kurse me 21 janar e pamë popullin pa parti, të zemëruar me pozitën dhe të braktisur nga opozita. Ajo demonstratë tregoi hendekun midis qytetarëve të pakënaqur dhe qeveritarëve të vetëkënaqur, por edhe konfirmoi hendekun tjetër midis popullit dhe opozitës. Shqiptarët e pakënaqur, kudo që janë, duhet të organizohen për ta shprehur pakënaqësinë e tyre me gjuhën e vullnetit dhe interesit të tyre. Përndryshe, pa organizim politik ka veçse përfitime partiake e humbje kombëtare. Në këtë frymë edhe qëndrimi më i fundit i Partisë Socialiste të Shqipërisë për koalicionin e ardhshëm është i papajtueshëm me vetë atë çka protesta shenjoi, theksoi lëvizja Vetëvendosje në deklaratën e saj.
Edi Rama shpall platformën e bashkimit politik me Kosovën burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email