Balla: Berisha, imunitet politik për Bashën
Tiranë- Partia Socialiste ka vënë sërish sot në qendër të kritikave të saj kreun e qeverisë për mbrojtjen që po i bën ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, duke e argumentuar këtë mbështetje të hapur me ‘mbrojtjen’ për miliona eurot janë vjedhur.
Gjatë një konference për shtyp, deputeti i PS-së, Taulant Balla e ka quajtur mbështetjen, imunitet politik që Sali Berisha është duke i ofruar Bashës, ndonëse ky i fundit nuk ka imunitet kushtetues.
“Sali Berisha dhe Lulzim Basha duhet të mbrojnë 380 milionë euro vjedhje dhe për të larë këto para, po mundohen të përdorin patriotizimin si detergjent dhe sekserë serbë si lavatriçe. Më shumë se interesi për rrugën, për këta individë ka qenë etja për para. Për opinion shqiptar sot nuk ka më asnjë dyshim se njeriu, që erdhi në pushtet tre vjet më parë me premtimin se do të luftonte korrupsionin, është sponsorizuesi dhe përfituesi më i paepur i korrupsionit”- tha Balla.
Ai i është referuar shifrave tashmë të bëra publike nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ku nga ekspertiza në kuadër të hetimeve të prokurorisë etj, rezulton se vetëm përmes dhe në bashkëpunim me të pandehurin Lulzim Basha, në një aks të vetëm rrugor, Sali Berisha ka përfituar 230 milionë euro.
“Nga tenderat e blerjes së energjisë elektrike, nga të cilat një pjesë e mirë janë kryer me sekserin serb Fazllic, Sali Berisha ka përfituar 50 milionë euro, shifër kjo e konfirmuar nga vetë sekseri në fjalë”- tha më tej ai, duke numëruar të tjera akuza ndaj kryeministrit.
Sipas Ballës, Berisha ka përfituar nga shitja e pasurive shtetërore me një euro; nga biznesi i trafikut të armëve (shkaktar i krimit shtetëror të Gërdecit); nga privatizimet e paracaktuara të pasurive shtetërore; nga 10 përqindëshi në të gjitha tenderat publikë; nga favorizimi i bizneseve të paligjshme në industrinë e lojrave të fatit.
Për këto arsye, sipas Ballës, thjeshtësisht finaciare dhe personale, Sali Berisha po mundohet të bëjë presion, të kamuflojë politikisht dhe të përdorë zgjatimet e tij për të bllokuar hetimet, gjykimin dhe dënimin e bandës së tij.
“Sali Berisha po mundohet të mbrojë me çdo kusht Lulzim Bashën, sepse bashkë me të kanë vjedhur 230 milionë euro. Sali Berisha po mundohet të mbrojë me çdo kusht sekserin serb, sepse bashkë me të dhe përmes tij ka vjedhur 50 milionë euro”- tha ai.
Për gjithë këto arsye, ka theksuar më tej Balla, Berisha është i gatshëm dhe po i hap luftë çdo institucioni të pavarur dhe demokratik në këtë vend, qoftë prokurorisë, gjykatës apo presidentit.
Ai e ka konsideruar Shqipërinë si të vetmin vend në botë, që vazhdon të mbajë Ministër të Jashtëm një të pandehur për vjedhje, një drejtor tatimesh i pandehur për rrëmbim dhe zhdukje personi, ministra apo ish-ministra në hetim për favorizim korrupsioni dhe trafiku armësh.
Ndërkohë që sipas tij, me shumën e abuzimeve, Berisha ia kalon edhe ish-Kryeministrit tailandez Taksin Shinaëatra. “Fundin do ta kenë të njëjtë”- përfundoi Balla.