Bie niveli i Prespës, komuna: Rrezikon tharjen
Korçë- Ndërhyrje urgjente nga ministria e Mjedisit ka kërkuar komuna e Liqenasit për të shmangur problemin që po ndodh në liqenin e Prespës.
Niveli i Liqenit të Prespës gjatë viteve të fundit po shënon një rënie të ndjeshme si asnjëherë tjetër, duke u kthyer një problem shqetësues jo vetëm për banorët e kësaj zone, por edhe për gjithë ekosistemin e pjesës Juglindore të vendit.
Kryetari i komunës Liqenas lidhur me këtë fenomen thekson se fillimisht rënia e nivelit të ujit në liqen është vërejtur që para 7 vjetësh dhe në rast se do të vazhdohet me këto ritme nuk është çudi që një ditë Prespa të thahet.
“Për këtë duhet të merren masa paraprake që ky fenomen të ndalohet duke ndërhyrë organet përkatëse dhe veçanërisht ministria e Mjedisit, e cila deri tani ka qëndruar indiferente”- thotë Themelko.
Sipas tij, aktualisht niveli i ujit ka rënë 6 metra, ndërkohë që nuk është bërë asnjë studim për shkaqet e kësaj situate.
“Mendohet se mund të ketë ndodhur ndodhur çarje tektonike, e cila është shoqëruar me rrjedhje të fuqishme të ujit ose të kenë shteruar burimet furnizuese nëntokësore të këtij liqeni”- thotë më tej ai.
Dukuria e rënies drastike të nivelit të ujit në këtë liqen shpesh është shoqëruar edhe me turbullime të ujit dhe me ngordhjen masive të peshkut si ndodhi pak kohë më parë. Liqeni i Prespës ka origjinë tektonike karstike. Shtrihet në një sipërfaqe prej 392 km2 në zonën kufitare midis Maqedonisë dhe Greqisë.