Gjirokastër, shkolla shqipe bëhet 100 vjeç
Gjirokastër- Shkolla shqipe në Gjirokastër ka mbushur plot 100 vjeç. Pas përpjekjeve shekullore të patriotëve shqiptarë, të cilët edhe pse ndiqeshin e persekutoheshin, në qytetin e Gjirokastrës hapet shkolla e parë shqipe me emrin “Liria”, aty ku sot ngrihet Obelisku, kushtuar kësaj ngjarjeje. “Patrioti gjirokastrit Panajot Dhima dhe mësuesit e parë ishin Thoma Papapano, Iliaz Hoxha, Asaf Çipi, Bastri Beqiri, Safet Canole, të cilët me shumë vështirësi siguronin libra e fletore për nxënësit e tyre.
Janë dashur tre vjet luftë dhe përpjekje që Këshilli Ministror Turk të vendoste lejimin e përdorimit të shkronjave latine nëpër shkolla shqipe”,- shprehet historiania Teuta Kallajxhi. Ajo pohon se shkolla e parë shqipe “Liria” u njoh zyrtarisht nga një dekret imperial i Sulltan Reshatit, më 14 prill 1911. Kështu, në vitin 1926 qyteti i Gjirokastrës, si qendër e prefekturës kishte një lice me 137 meshkuj dhe 6 femra, si dhe 30 shkolla fillore me 1353 meshkuj dhe 668 femra.
Ndërkaq, në 85-vjetorin e themelimit, që ka përkuar me ditën e djeshme gjimnazit “Asim Zeneli”, një ndër institucionet arsimore më të famshëm në vend i është rikthyer simboli me shqiponjë dy krenare, logo kjo e realizuar nga patriotët gjirokastritë, por e hequr 63 vjet më parë nga regjimi komunist. Ish-gjimnazisti i kësaj shkolle, aktualisht ministri i Arsimit dhe i shkencës, Fatos Beja, i shoqëruar nga zv/kryeministri Genc Pollo dhe ministri i Ekonomisë dhe energjitikës, njëherazi deputeti i zonës, Genc Ruli, ka zbuluar simbolin, duke u shprehur se “ndihem krenar që simboli i patriotëve gjirokastritë u rikthye në këtë tempull të dijes, pas shumë dekadash”.
Përgjatë 85-viteve, të funksionimit nga bankat e kësaj shkolle kanë dalë rreth 10 mijë gjimnazistë, ndërmjet të cilëve figura mjaft të njohura si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Eqrem Çabej, Enver Hoxha, Agim Shehu, Agim Mero, Bashkim Fino etj. Liceu përfundoi së ndërtuari në vitin 1941, në formën që ruhet edhe sot dhe godina e re u ngrit mbi objektin e ish- Liceut francez të vitit 1928, i shkatërruar nga lufta Italo-Greke.
Në godinën e gjimnazit janë aplikuar shumë elementë arkitektonikë, strukturorë, funksionalë, të cilët i japin objektit vlera unikale, por edhe një harmonizim në kontekstin e qytetit. Duke iu referuar arkivit të gjimnazit “Asim Zeneli”, kolektivi i parë pedagogjik përbëhej nga Viktor Kutan (drejtor, shtetas francez), Vesim Kokalari, Muntaz Kokalari, Elmaz Çani, Ilia Dilo Sheperi, Pano Hido, Frederik Marshand, Salim Kokalari.