E Diel, 1 Nëntor 2026

Emisione që prodhojnë një famë të pamerituar

Ylli Pepo, Producent, regjisor, ish-konsulent në Kafazin e Artë 1Në princip jam kundër këtyre lloj shou për arsye se shfrytëzohet një nga veset e këqija njerëzore, ajo e kureshtjes për jetën e tjetrit. 10- 15 vjet më parë një inxhinier holandez shpiku “Big Brotherin” duke u bazuar mbi këtë ves. Duke parë se sa njerëz janë të interesuar për jetën e tjetrit, ai vuri në vëzhgim për 24 orë një grup njerëzish dhe pa se interesi i publikut ishte shumë më i madh se sa ai parashikonte, kështu lindi “Endemol", shoqëria më e madhe e realizimit të reality-ve në të gjitha televizionet e botës.

Natyrisht që kjo gjë do të hynte në ekranet tona, pasi në këtë shoqëri globaliste që ne jetojmë, marrja e këtyre formateve është bërë i rëndomtë. Duke qenë se nuk më pëlqen kjo gjë fare, pra të kopjosh dhe të importosh, paraqitja në mënyrë shabllon nuk tregon gjë tjetër veçse 1 mjerim intelektual dhe nga ana tjetër duke qenë se jam një njeri që s’më intereson aspak jeta dhe zhurma e të tjerëve e them me bindje të plotë se ky format programi është shumë më tepër biznes sesa format televiziv.

Por nga ana tjetër, duke qenë profesionist i vjetër në televizion i bindem publikut, i cili shfaq një interes të veçantë për këto programe dhe përderisa ka shikues shumë, duhet ta pranojmë ekzistencën e tyre. Ky publik që dëshiron të shikojë këtë lloj programi është një shtresë e caktuar që nuk ka ndonjë kualifikim të lartë. Është një publik që mezi pret të shohë diçka të tillë pasi është larg librit, larg interesave më të gjera të jetës shoqërore. Një voyuerisme (ata që kënaqen me epshet e të tjerëve) I kohës moderne nën vëzhgimin e kamerave, të cilat i përdorin si kavje. Por ka njerëz që i pranojnë, kjo sepse pasi të dalin do të kenë bujë të pamerituar.

Për paradoks unë kam qenë bashkë me Robert Budinën konsulent në Kafazin e I dhe kam punuar për ta dhënë në transmetim. Nga pikëpamja televizive ky lloj programi është më i “ndershëm” nga të tjerët, pasi përdor shumë më pak truket dhe “hilet”, sesa në shumë emisione të tjera, të cilat hiqen sikur janë direkt, por në të vërtetë janë të regjistruara, të censuruara. Nga kjo pikëpamje është risi, “më i ndershëm” dhe nëse flasim për gjini televizive, për çdo regjisor është një gur prove, pasi e “bukura e direktes”është një nga gjërat më të kërkuara nga 1 regjisor.

Gjithashtu në këtë rast shfrytëzohet mirë dashuria e madhe e televizorit për serialin, për emisionet në seri dhe në këtë rast konflikti, drama e personazhit suspansi, e papritura nuk janë më trillime, apo të sajuara, por operohen me personazhe reale, të cilët nën vëzhgimin e shumë kamerave do e kishin të vështirë ta bënin aktorin. Kjo mendoj është një anë pozitive pasi është shumë më i besueshëm sesa një fiction.

Mendoj se këto lloj emisionesh do ekzistojnë gjithmonë, por nga ana tjetër flasim dhe për një shfrytëzim të disa manierave negative, që ka në thelbin e vet njeriun.

Padiskutim nga të gjitha që thashë si model shoqëror nuk është ai perfekti, por përkundrazi të shtyn të besosh se fama mund të arrihet lehtë, pa dije dhe pa punë. Mund ta quaj që është një infektim mendor!

Aulona Musta: Një “kafaz” që nuk është i artë, nata e parë thuajse dështim

Është bërë e njohur nga “Kafazi i Artë 4” vite më parë, por tashmë e sheh me një sy kritik. Aulona Musta, vajza i cila ka dhuruar jo pak spektakël kur ka qene vetë pjese e asaj shtëpie, (ka thyer edhe tabutë duke u dashuruar me një nga banorët, lidhje e cila vazhdon sot e kësaj ditë).

Në një intervistë për SH2 Aulona flet hapur. E quan këtë spektakël një dështim në tërësi, si nga ana e prezantimit e skenografia. Duke patur një konkurrent të fortë në Shqipëri siç është “Big Brother”, pohon Aulona, disnivelii këtij spektakli nuk ka nevojë të rrëfehet por mjafton ta shohësh.

Ndërsa përsa i përket një përfoljeje për rikthimin e ish-banorëve në kafaz ajo është tërësisht kundra, “iku ajo kohë bashkë me ato që më solli”.

Çfarë mendoni për edicionin e fundit të kafazit të artë i cili sa po ka filluar, duke e parë me syrin e një ish-kafaziereje?

Organizimi i kafazit, besoj se të gjithë e panë natën e parë ishte, nuk dua ta përdor fjalën dështim se mbase duket shumë e madhe, por i tillë ishte. Sidomos duke u krahasuar me vitet më parë, dhe me pritshmërinë që patëm për këtë kafaz, sepse u përfol shumë. Thanë që do riktheheshin shumë mirë, shumë fuqishëm ndërkohë që ishte një zhgënjim shumë i madh duke filluar që nga skenografia, një studio totalisht e errët. Mos të shkojmë shumë larg për krahasim në Itali, por tani kemi një shembull shumë më të afërt “Big Brotheri-in”. Duke patur një konkurrencë kaq të madhe sa ç’ishte Big-Brother mendova se do bënin gjëra shumë më të mira, por nuk ishte aspak kështu.

Po për sa i përket drejtueses së këtij Kafazi dhe nivelit të saj të prezantimit?

Prezantuesja la shumë për të dëshiruar. Ishte hera e parë, ajo mund ta përdorë këtë si justifikim dhe normalisht emocionet e herës së parë janë gjithmonë të mëdha, sidomos për një vajzë që është e re në moshë dhe që nuk ka patur ndonjë eksperiencë të tillë në prezantim. Emocionet janë tjetër gjë dhe të qenit e papërgatitur dhe për mendimin tim e pa aftë për të marrë përsipër një iniciativë të tillë ka ndryshim, sepse Olta që ka gjithë respektin tim për atë pjesë teatrale që luajti, të cilin e vlerësova shumë, si prezantuese nuk bënte. Jo vetëm për shkak të emocioneve, por sepse kishte një mungesë të theksuar lirshmërie, fjalori, gabime të pafalshme gramatikore. Po t’i shikoje të gjitha këto dhe po të mbaje shënim bëheshin realisht shumë. Minimumi që prezantuesja e kafazit të bënte si aktore është të mbante mend përmendësh, ajo atë nuk arriti dot ta bënte.

Me aq sa keni ndjekur mund të nxirrni ndonjë konkluzion për nivelin e dhjetë banorëve të Kafazit?

Për nivelin e tyre është shumë herët të them ndonjë konkluzion. Unë nuk është se e kam ndjekur, vetëm ndonjëherë kur kam kohë. Më bën përshtypje sërish fakti se edhe këtë vit vetëm një nga dhjetë personat ishte me shkollë të lartë dhe për mua ky është tregues shumë i rëndësishëm. Nuk është shkolla që e bën njeriun, mund të thoshte dikush, megjithatë është një sinjal që të futësh dhjetë të rinj nga të cilët nëntë janë me shkollë të mesme, në një kohë kur sot kushdo e ka të lehtë ta marrë një diplomë, është tregues shumë i rëndësishëm i nivelit. Pa paragjykuar, nuk e di si do shkojë më tej.

Po risia e sjellë këtë vit me kafazin e ndryshkur si ju duk?

Dy nga ata që u skualifikuan disa çaste pasi u futën në kafaz do të jetojnë në një shtëpi në fshat edhe këto nën survejimin e kamerave siç u tha aty. Ky për mendimin tim është një tjetër defekt, se pohuan që do të monitoroheshin në mënyrë të barabartë si personat e kafazit të artë dhe ata të kafazit të ndryshkur, ndërkohë që unë të paktën sa herë që më ka rënë rasti ta shoh atje është vetëm kafazi i artë dhe nuk monitorohen aspak ata të kafazit të ndryshkur.

Po ta krahasojmë me atë periudhën që ju vetë keni qenë pjese e kafazit, çfarë ndryshimesh ka?

Unë shpresova se gjërat do të bëheshin shumë më mirë. Duke qenë se Zhaku tha se do të rikthehej dhe kishte ide. Unë atë e vlerësoj jashtëzakonisht shumë, si profesioniste, si regjisore, mbi të gjitha dhe si prezantuese, se për mendimin tim nuk ka asnjë që të prezantoi më mirë se ajo reallity shou të këtij formati. Zhaku është larguar dy tre ditë para se të fillonte ky spektakël dhe nuki di arsyet pse. Këtë e shikoj edhe si një arsye se përse kafazi ishte në atë gjendje, sepse të ikësh dy- tre ditë përpara, të ngelësh në atë gjendje është vështirësi për drejtuesit e kafazit. Ka shumë disnivel, gjithmonë e duke rënë cilësia a kafazit. Nuk është mirë që unë të flas për periudhën kur kam qen unë, ka shumë ndryshim dhe këto jo për mirë, po për keq.

U përfol sikur do të futeshin përsëri ish-kafazierët për të sjellë një spektakël ndryshe, ju erdh ju kjo ftesë dhe a do ishit e gatshme për një eksperiencë tjetër?

Po kjo ishte ideja, sidomos tani me fillimin e “Big-Brotherit”, të mos bëhej me kafaz po të bëhej ndryshe. Mua më erdhi kërkesa dhe absolutisht nuk pranova, nuk ka më kuptim.

Je penduar që edhe ti ke qenë pjesë e atij kafazi?

Nuk jam penduar në asnjë moment, unë i jam shumë mirënjohës kafazit, se, në qoftë se jam këtu ku jam sot dhe kam arritur shumë gjëra është edhe falë atij reallity shou që më evidentoi. E pata eksperiencën time, isha 20 vjeçe, atëherë mund të merrja përsipër që të lija 2 muaj shkollë, me dëshirën madhe e provova atë eksperiencë, nuk ia vlen më. Sidomos me këto kushte, nuk më duken në nivelin siç ishin para katër vitesh kur mora pjesë unë.

Në përgjithësi në televizione ka një mungesë të theksuar. Nuk behën spektakle, nuk organizohen emisione në nivelin e duhur sepse thjesht PO shikohet të fitohet duke anashkaluar cilësinë.

Ish-kafazieri Beni nga Yrsheku

Ajo që i ka pëlqyer më shumë nga Kafazi i Artë, është zetori që çon kafazierët në shtëpinë e Rremës. Kur kujton të ziun zetorist që i doli shkuma me manivel, Ben Yrsheku ia plas së qeshurës me të madhe. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe për fituesin e Kafazit të Artë 2, i cili vetë është lindur e rritur sikurse thotë vetë në një fshat që laj-thaj ka dy pallate dhe ca bahçe mbjellë me domate.

Beni nuk ka mundur ta shikojë drejtpërdrejt natën e parë të Kafazit 6, por thotë se si ky i fundit nuk ka. “Kam parë ritransmetimin e hapjes së Kafazit, pasi nuk kisha mundësi ta ndiqja Live. Kështu mirë ishte. Ajo që më ka pëlqyer më shumë ka qenë transportimi i kafazierëve të dalë nga shtëpia me zetor në Kafazin e Ndryshkur. Më erdhi keq për zetoristin e shkretë që nuk iu ndizte motori”.

Të hënën Ben Yrsheku është ftuar të jetë i pranishëm në natën e dytë të Kafazit. Kur i themi të ketë kujdes se mos rrëzohet në skenë, pasi ndriçimi është i dobët, Beni ia këput një mufkë nga ato të tijat; “Ska gjo, do marr fener me vete”

Të marrësh një formular aplikimi për Bog Brither, duhet të bësh luftë

Këto ditë ka nisur konkurimi edhe për lojën tjetër shqiptare të këtij formati, Big Brother. Tentuam të mësonim se si përzgjidheshin konkurentët në të. Më parë duhet mbushur një formular dhe për këtë duhej të shkoje në disa pika të paracaktuara me një 2 mijë lekësh ën xhep që është si tip tarife.

Do thoni ju, epo një formular duhet të plotësosh. Tamam, tamam një formular është për t’u plotësuar, po nuk është kaq e thjeshtë.

Sapo gjetëm një pikë ku kishte formularë të tillë, na u desh të “bënim sherr” me sportelisten. Nuk e lëshonte formularin gjallë nga duart. Vetëm na e tregonte, ta shihnim me sy, por duke e mbajtur me forcë shtrënguar me gishta.

E pyetëm si ishte puna, na thotë që duhej të paguanim 200 lekë të reja. Nxcorëm lekët, por formulari nuk jepej ta merrje me vete. Më lehtë, i hiqje bluzën sportelistes se formularin nga duart. Na tha që nuk lejohej ta merrje formularin me vete, duhej ta plotësoje aty në vend, nën mbikqyrjen e saj.

E pamundur të merrej ai “formular i artë”. Vetëm sa i hodhëm një sy. Sa për kuriozitet formulari kishte një hapësirë shumë të madhe portret ku duhej vendosur fotoja e aplikantit. Veç kësaj, të dhënat e tjera ishin ato të zakonshmet, emër, mbiemër, adresa etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›