E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Berisha ka rënë, duhen zgjedhje të parakohshme

Z. Balla, çfarë u diskutua në mbledhjen e deputetëve të opozitës?
Dua të them që mbledhja diskutoi aspekte organizative të protestës që lidhen me programin dhe aksionin në vijimin në kuadër të gjithë këtij aksioni protestues deri ditën e nesërme (sot). Deputetët por edhe liderët e partive aleate, që i janë bashkëngjitur kësaj proteste diskutuan edhe për hapat e mëtejshëm që ne duhet të ndërmarrim lidhur me realizimin e objektivit tonë themelor që vazhdon edhe pas kësaj mbledhjeje dhe në vijim, të jetë hapja e kutive. Sali Berisha duhet të kuptojë që pa hapjen e kutive Partia Socialiste dhe gjithë opozita nuk do të tërhiqen për asnjë moment jo vetëm nga sheshi por të jetë i bindur që ne do të intensifikojmë veprimin tonë që realizon këto objektiva kryesore.


A ia ka arritur qëllimit deri më tani protesta e opozitës?
Besoj se asnjë shqiptar përfshi këtu edhe shqiptarin e vetmuar Sali Berisha, nuk ka dyshim se 100 mijë qytetarë e qytetare që ishin bashkë me ne ditën e djeshme (pardje) mjaftojnë për të bindur Sali Berishën që ai nuk është fituesi i zgjedhjeve, të 28 Qershorit. Ai është humbësi më i madh i zgjedhjeve të 28 Qershorit.


Kryeministri Berisha e ka refuzuar kërkesën e opozitës për hapjen e kutive duke thënë se nuk mund të dalë mbi vendimet e gjykatave, cili do të jetë veprimi i mëtejshëm politik i opozitës?
Sali Berisha është një njeri i marrë rob nga aferat që ai dhe të tijët kanë bërë për katër vite me rradhë. Tashmë, Sali Berisha është një rob edhe i pisllëqëve që ai bëri me zgjedhjet e 28 Qershorit. Sali Berisha ka rënë. Sali Berisha nuk është më Kryeministër i këtij vendi. Nuk ka lider, Kryeministër apo President në botë që nuk bie përpara 100 mijë njerëzve të mbledhur para zyrës së tij. Ne duhet të mendojmë sesi Shqipëria do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.


Kjo të do thotë që do të përdorni forcën ?
Më lejoni të them se Çaushesku ra para 25 mijë njerëzve. Sali Berishës i mjaftojnë besoj 100 mijë njerëz për të rënë.


A ka pasur ndërhyrje apo ndikime nga faktori ndërkombëtar lidhur me protestën që po zhvillon opozita?
Ndajmë të gjithë të njëjtin mendim që ka një mbështetje pozitive përkundrejt çdo aksioni protestues, si shprehje e të drejtës së qytetarëve të lirë të një vendi, që aspiron për demokraci. Shqipëria ka nevojë që të forcojë sistemin e vet demokratik dhe sistemi demokratik forcohet vetëm përmes hapjes së kutive, transprencës së votimeve të 28 Qershorit, rikthimit të legjitimitetit të institucioneve, pasi institucionet shqiptare nuk kanë më  legjitimitet. Kjo realizohet përmes tërheqjes së Sali Berishës, pranimit të kërkesave të opozitës dhe sigurisht do të ishin zgjedhjet e parakohshme ato që e shpëtojnë demokracinë. 

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›