E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Berisha ka humbur mendjen

Kreu socialist Edi Rama ka konfirmuar dje se opozita është e vendosur për t'i shkuar deri në fund betejes së nisur për t'i kthyer Kuvendit të Shqipërisë legjitimitetin e duhur. Duke falenderuar qytetaret për mbështetjen që i dhanë protestës, shefi i selisë rozë ka bërë të ditur se tashmë ka lindur një lëvizje e re për lirinë dhe demokracinë. "Është një bashkim i madh qytetar kundër padrejtësisë në pushtet, një aleancë njerëzish të vendosur për t'i dhënë fund pushtetit të padurueshëm të pabarazisë, që së fundmi, ka marrë formën e një regjimi të kapjes së shtetit të të gjithëve për interesat e një familjeje në pushtet", - tha Rama.

Duke marrë shkas pikërisht nga reagimet e djeshme të kryeministrit Berisha, i cili në fillim provokoi turmën duke e përshëndetur nga zyra e tij me dy gishta dhe së dyti duke deklaruar mostërheqjen nga vendimi për të mos hapur kutitë, nuk ka nguruar ta konsiderojë atë të marrë. "Sot në një çerek dritareje të hapur të kësaj godine shurdhe, ai që me votat e vjedhura të shqiptarëve quhet ende kryeministër i këtij vendi të marrë peng, u shfaq pas xhamit për t'i bërë turmës shenja me gishta, Mu si një i marrë që ka humbur gojën e mendjen. Dhe si të mos mjaftonte kjo ky klloun i tmerruar nga nxjerrja e së vërtetës prej kutive të votimit, fyen publikisht një popull të tërë duke thënë, "Edhe Enver Hoxha të ngjallet kutitë e votimit nuk hapen!". Pra kur nuk i hapka dot kutitë as për hatrin e Enverit edhe sikur të ngjallej, Saliu nuk i hapkërka jo e jo për të drejtën e qytetarëve shqiptarë kutitë e krimit elektoral.

Ky palo kryeministër që kalon nga turpi në turp dhe që jeton akoma me fantazmën e Enverit mbi krye, me siguri nuk është mjaftueshmërisht i qetë mendërisht sa të paktën të mos i tregojë popullit të vet adhurimin e fshehtë që ka për diktatorin komunist, të cilit i shërbeu si një lake i rëndomtë", - tha Rama duke i bërë edhe një herë thirrje atij që të pranojë kërkesat e opozitës.

Erion Braçe:
"Në emër të PS, dua të dënoj me forcë xhestet e sotme të KRYEMINISTRIT në detyrë që gjendet ende në mënyrë të paligjshme në këtë seli që e paguan populli! Dua t'i dënoj ashpër, por sërish jo në mënyrën e merituar! Ky zyrtar, që tani përfaqëson dhe një vend të NATO-s, nuk meriton të ndëshkohet me fjalime!
Dua ti dënoj si xheste provokative, të një zyrtari frikacak, fshehur pas xhamave të blinduar të zyrës së tij, mbrojtur nga 200 policë aty brenda, që paguhen nga taksat tona, por që duhet të shkonin për të mbrojtur njerëzit nga maskat që po grabisin rrugëve, si në një rast dje".

Shegushe Ligori:
"Nga ky shesh, më lejoni t'i jap frymë zërit të secilit prej jush, më lejoni të themi të gjithë së bashku; Berisha Ik! Ik sa nuk është vonë, sot ke vetëm një shans, ik sepse jeta është e gjatë, sa të kesh kohë të turpërohesh! Ne jemi më të vendosur se kurrë për t'i dhënë vendit qeverisjen që meriton dhe për t'i dhënë vrasësit të zgjedhjeve të lira dhe shpresës së gjithë qytetarëve monedhën që meriton! Ne jemi të vendosur të themi kurrë, kurrë më me tiranët! Rroftë populli heroik i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë që sot po shkruan histori. Atë pjesë të historisë që nesër do të na bëjë të gjithëve krenarë përpara fëmijëve tanë të cilëve do t'u themi: ne ishim aty, ne vumë një tullë në ngrehinën e madhe të demokracisë në vend"

Mimi Kodheli:
"Qytetarët shqiptarë po bëhen çdo ditë e më të ndërgjegjshëm për atë ç'ka ka ndodhur e ndodh këtu. Mostransparenca e rezultatit real të votimeve të fut siç e futi qeverinë e sotme në batakun nga i cili qeveria nuk mund të dalë. Nuk mund të dalë pasi shteti është i kapur, pasi në përbërje të kësaj qeverie ka ministra me precedentë penalë. Qeveria Berisha e ka zhytur popullin në borxhe dhe e ka nxirrë buxhetin pasi paratë e taksapaguesve u përdorën për të blerë e trafikuar votat e 28 qershorit"

Eglantina Gjermeni:
"Mënyra dhe përqasja që PS ka zgjedhur për të shprehur qëndrimin e saj politik, janë demokratike dhe do të vazhdojnë të kërkojnë plotësimin e kushteve për pjesëmarrjen në parlament me të gjitha mjetet demokratike. Ne besojmë se hapja e kutive, është një kërkesë e drejtë dhe është e bazuar në ligj. Në kodin zgjedhor thuhej se edhe 2 anëtarë të KQZ mund të kërkojnë numërimin e votave, gjë që nuk u zbatua. Ndërkohë që Partia Socialiste kërkon hapjen e kutive, vetëm në disa zona, siç janë Tirana, Berati dhe Shkodra."



Besnik Bare:
"Ne kërkojmë transparencë. Së dyti, përgjegjësi para ligjit ndaj kujtdo që fut duart në kutitë e votimit!
Moshapja e kutive ka një efekt domino. Ajo mban gjallë jo vetëm një qeveri ilegjitime, por deformon gjithë institucionet: policinë, gjykatat, burgjet. Ne duhet të hapim kutitë për të çliruar Shqipërinë nga gjithë të këqijat, që t'i hapim rrugë demokracisë së vërtetë. Saliu nuk i hap kutitë se ai trembet nga e vërteta. Por ai duhet t'i bindet popullit. Historia ka treguar se kush luan me kërkesat e popullit, luan me zjarrin".



Ledi Shamku:
"Nuk mund të shkohet në një Parlament pa kaluar përmes kutive të votimit dhe ne nuk do të shkojmë në Parlament pa iu dëshmuar shqiptarëve të vërtetën. Mbaj vesh që të mbash mend sot e përgjithmonë zoti Kryeministër se nuk ke për ta prekur më votën e shqiptarëve! Janë shqiptarë e jo milingona ata që ty sot po të japin ultimatumin e fundit! Ke dy rrugë: të hapësh kutitë, ose të ikësh! Zgjedhja është e jotja, ne e kemi bërë zgjedhjen tonë e nuk do të ikim!"

Armando Subashi:
"Jemi sot këtu në ekstremin e demokracisë sepse jemi në ekstremin e varfërisë! Jemi këtu në ekstremin e shprehjes së mendimit tonë. Vendi ynë është në ekstremin e korrupsionit! Do të jemi më të fortë, edhe më të fortë se plumbat që u derdhën mbi mikun tonë, deputetin Fatmir Xhindi. Protesta jonë nuk është për të zënë disa vende e karrige në Kuvend. Por protesta jonë do t'i japë fund njëherë e përgjithmonë vjedhjes së votës së lirë. Protesta jonë është që të hapen kutitë e shqiptarët të mësojnë njëherë e mirë të vërtetën që fshihet në to".

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›