E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjinushi: Zgjidhja e vetme, qeverisje me bazë të gjere

Intervista/ Kreu socialdemokrat Skënder Gjinushi shprehet se protesta e opozitës ia arriti qëllimit të saj

Z.Gjinushi nesër (sot) përfundon protesta tre ditore e opozitës. Çfarë efekti prisni të sjellë ajo në ditët në vijim?
Dihet që treguesi numër 1 për të fituar një betejë politike dhe veçanërisht kur diskutohet legjitimiteti i zgjedhjeve është përkrahja popullore. Pra opozita ka muaj që vë në pah faktin që zgjedhjet e qershorit nuk shprehin vullnetin e popullit. Kështu që protesta e së premtes ka realizuar shumë qartësisht për këdo faktin që shumica e popullsisë nuk ka besim te rezultati i 28 qershor, nuk  ka besim pikërisht për shkeljet, nuk ka për atë çka ata vetë kanë përjetuar, nuk ka për shkelje të standardeve që verifikon vetë OSBE-ODIHR, dhe nuk ka sepse procesi mbeti i bllokuar në disa qarqe prej Sali Berishës. Në këtë kuptim vetë protesta dha legjitimitetin e plotë të së drejtës për të kërkuar transparencën për zgjedhjet, për të kërkuar të vërtetën e zgjedhjeve.


Ju kërkoni hapjen e kutive por Berisha ju ka kthyer një përgjigje sot (dje) kur deklaroi se nuk do të ketë hapje të kutive të votimit....
Vetë përgjigja e tij tregon qartë se është një përgjigje deshperuese, çka tregon panikun e tij, tregon atë që të gjithë e dinë se kjo gjë nuk varet nga ai. Që nga momenti që humbësi apo personi i akuzuar paska në dorë nëse verifikohet vjedhja ose jo, ky lloj gjyqi nuk ekziston gjëkundi. Pra kur kërkohet një hetim, i vetmi person që nuk mund të flasë nëse duhet apo jo të bëhet hetimi është ai që akuzohet për të. Aq më tepër kur është fjala për vota. Populli në fund të fundit nuk  ka ende një akuzë direkte, por thotë dua të shoh votën e fshehur në kuti, sepse dhe me pjesën e lexuar nuk po qeverisin ata që votuam ne.

Në qoftë se del ashtu siç e di shumica e shqiptarëve Berisha është i detyruar të ofrojë dorëheqjen e vet për shkuar përpara. Por këtu problemi është se qeveria nuk  është ilegjitime vetëm në votë. Qeveria është ilegjitime në tërë veprimet e saj. Jashtë çdo lloj emocioni jetojmë në Europë dhe mund të shohim qartë se vetëm një ndër skandalet e bera prej kësaj qeverie pas zgjedhjeve, qeveritë në Perëndim japin dorëheqien. Qoftë për rënien e tunelit, pra të investimit prej miliarda euro ku kjo qeveri ka futur me qindra mijëra njerëz të gjallë për të kaluar në të pa mbaruar, duke e ditur se është në rrezikun e shembjes. Qoftë për çështjen "Taçi" ku kjo qeveria ka bërë një nga privatizimet më korruptive në vend, pra ka falur naften duke e lënë në duart e një kontrabandisti me një dem me qindra miliona euro në vit.
Pra janë gjithë këto skandale që kjo qeveri të jepte dorëheqjen dhe për drejtimin organeve të drejtësisë.


Çfarë do ndodh pas kësaj proteste, kur kemi një qëndrim të tillë nga ana e maxhorancës?
Sa më shumë ai konteston tani jo me vetëm opozitën, 60 apo 65 deputetë, por popullin të tërë atëherë aq më tepër vihet në pah ilegjitimiteti i tij. Ne betejën e kemi fituar dhe jam i bindur se do të ketë një reagim krejt tjetër nga nderkombëtarët të cilët edhe së fundi i janë drejtuar atij për zgjidhje. Në këto kushte Shqipërisë i duhet një zgjidhje politike për shumë arsye. Kurkush s'mund të mendojë më që qeveria është mbi votë, kurkush s'mund të mendojë më që kjo qeveri mund të luftojë korupsionin aq më shumë kur s'ka as numrin formal prej 84 votash.  Të gjitha këto çojnë në detyrimin për një qeverisje me bazë të gjerë, në një kohë që qeveria Berisha po bëhet gjithnjë e më shumë me një bazë të ngushtë.


E shihni përdorimin e forcës si një mjetet të mundshëm për të arritur këtë qëllim?
Forcë popullore. Pra forca në këtë rast është populli në protestë, pasi kjo është forca më e madhe në një demokraci. Kuptohet që forca shkon në ekses kur pala tjetër nuk njeh legjitimitetin e protestës.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›