Xhafaj: Fundi i Berishës, çështje ditësh
Intervista/ Sekretari për çështjet ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, shprehet se protesta maratonë ishte vetem një betejë
Z.Xhafaj mendoni se ia arritët qëllimit që i kishit vënë vetes me këtë protestë tre ditore?
Mendoj se qëllimi që i kishim vënë vetes si organizatorë me anë të kësaj proteste jo thjesht u arrit por është tej parashikimit tonë. Natyrisht ne kemi qënë të bindur në kauzën tonë, dhe çdo ditë e më shumë kemi qënë të vendosur dhe tashmë mbetemi edhe më të vendosur për ti shkuar deri në fund. Por ajo që na bënë të tillë është edhe fakti që sot ne kemi një mbështetje të jashtëzakonshme popullore.
Kjo është protestë e veçantë dhe e jashtëzakonshme për shumë arsye, por unë mendoj personalisht dhe këtë e kam konstatuar edhe tek shumë kolegë të mij me të cilët kam ndarë diskutime dhe mendime për këtë çështje që kjo është e para protestë e këtyre përmasave që organizohet për një gjë të madhe e cila nuk ka qënë në edukatën dhe në traditën e shqiptarëve, pra protesta për votën e lirë. Kjo është një nga arsyet themelore që e bënë këtë protestë të jashtëzakonshme për shkak se i jep një dimension të madh. Shqiptarët më në fund unë mendoj se kanë kuptuar rëndësinë që ka vota e tyre individuale, rëndësinë që ka vota e tyre e përbashkët, votë që ata po e lidhin gjithnjë e më shumë me femijet e tyre dhe me të ardhmen e tyre.
Kryeministri Berisha ka reaguar lidhur me kërkesën tuaj, duke bërë edhe një herë të qartë se nuk do të ketë hapje të kutive për çfarëdo lloj çmimi.....
Për një gjë jam i sigurt se Berisha ka qënë dje (të premten) në ditën e tij më të keqe. Ka qënë në ditën e tij më të keqe sepse ai nuk ka patur kurrë fatin, megjithëse ka dashur ta konsiderojë veten si babai i protestave në këtë vend, së pari të ketë një protestë të tillë kaq popullore, së dyti për një kauzë kaq të lartë dhe së treti që është shumë e rëndësishme, kaq paqësore.
Cili do të jetë hapi tjetër i PS-së?
Një kuptim simbolik kjo protestë është një proces, është një luftë për votën e lirë, për transparencën e asaj vote, është një luftë për të konsoliduar rëndësinë dhe peshën që ka vota, raportin që duhet të ketë shteti me votën e qytetarit. Kjo është një luftë që kalon në disa faza apo beteja dhe kjo ishte një nga betejat. Mos harojmë se kur e nisëm ne këtë kishte njerëz edhe brenda nesh që nuk e besonin se do të përfaqësohej kjo kauzë edhe nga vetë socialistët.
Por kjo u bë nga një kauzë e socialistëve në një kauzë popullore dhe sot ka qënë pikërisht i këtij mentaliteti dhe i këtij qëndrimi rrjedhojë e këtyre betejave. Pra ne kemi fituar duke ndertuar një strategji serioze si dhe vetë natyra e kauzës për të cilën ne jemi ngritur, duke kaluar nga njëra betejë në tjetrën. Duke i marrë ato shkallë shkallë ne sot mendojmë se ato shumë shpejt do të japin rrezultatin pozitiv të tyre. Se do të jetë nesër se do të jetë në javën e ardhshme, kjo është çështje ditësh për të marrë atë që kërkojmë.
Keni deklaruar se do të përshkallëzoni qëndrimin, çfarë nënkuptoni me këtë?
Jua them edhe një herë se në momente të caktuara, në faza të caktuara të të gjithë kësaj përpjekjeje kemi pasur objektiva përkatës dhe natyrisht instrumente përkatës. Këtë fazë po e mbyllim me këtë instrument që jemi duke ndertuar me shumë sukses. Përshkallëzimi do të thotë më shumë mbështetje popullore, një qëndresë akoma më e fortë dhe natyrisht duke përdorur të gjitha mjetet e mundshme demokratike. Në rast se ndaj kësaj qëndrese nuk do të kishte një reagim pozitiv nga qeveria dhe personalisht nga Sali Berisha, unë jam i bindur se kjo do të prodhojë një intensifikim akoma më të madh të luftës dhe të instrumentave demokratike që do të përdorim në këtë proces.
Çfarë vendosi grupi parlamentar, do të ketë një miting akoma më të madh?
Nuk është vetëm çështje mitingjesh. Natyrisht që do të ketë dhe mitingje dhe protesta, por këto ashtu si beteja legale janë një sërë instrumentash. Ne jemi duke i parë me kujdes dhe në momentin e përshtatshëm do të marrin vendimin e duhur.